Latifi: Fashizmi serb është fashizmi i vetëm në Europë që vazhdon të mbetet i padënuar

Aktuale

Latifi: Fashizmi serb është fashizmi i vetëm në Europë që vazhdon të mbetet i padënuar

Nga: Z.B Më: 20 maj 2019 Në ora: 18:14
Foto

Këshilltari i kryeparlamentarit Kadri Veseli, Blerim Latifi, ka thënë se masakra serbe e majit 1999 në Burgun e Dubravës, deri me tani askush nuk është gjykuar e lëre më dënuar, përcjell “Bota sot”.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook ku ka cituar shkrimtarin francez Zhan Pol Sartri, i cili ka shkruar se, “fashizmi nuk përcaktohet nga numri i viktimave që shkakton, por nga mënyra se si i vret ato”.

Tutje, Latifi ka krahasuar masakrën e Normandit të vitit 1944, me atë të Dubravës në vitin 1999, ngase, siç ka shkruar ai, në qershor të vitit 1944, trupat aleate bënë zbarkimin e madh në Normandi të Francës, nazistët urdhëruan njësitë e SS-ve që t’i pushkatojnë të burgosurit nëpër burgjet e zonës, ai thotë se nëse ka një ngjarje analoge me këto masakra, ajo është Masakra në Burgun e Dubravës në majin e vitit 1999, masakër në të cilën njësitë ushtarake serbe vranë mbi 160 të burgosur shqiptarë, e qindra të tjerë mbetën të plagosur.

“Fashizmi serb është fashizmi i vetëm në Europë që vazhdon të mbetet i padënuar. Dhe, ne e dijmë, qysh nga kohërat e tragjedive antike greke, se krimet e padënuara ndjellin krime të reja”, ka shkruar këshilltari i kryeparlamentarit, Blerim Latifi.

Postimi i plotë:

Normandi 1944, Dubravë 1999

Shkrimtari i famshëm francez Zhan Pol Sartri shkruan se “fashizmi nuk përcaktohet nga numri i viktimave që shkakton, por nga mënyra se si i vret ato”. Kur në qershor të vitit 1944, trupat aleate bënë zbarkimin e madh në Normandi të Francës, nazistët urdhëruan njësitë e SS-ve që t’i pushkatojnë të burgosurit nëpër burgjet e zonës, ku kishte ndodhur zbarkimi i aleatëve anglo-amerikanë. Në mesin e këtyre pushkatimeve, më e njohura është Masakra në Abacinë Ardenne, në të cilën u masakruan dhjetëra të burgosur. Qindra të burgosur të tjerë u ekzekutuan në dhe rreth qytetit të Caen-it, i cili ndodhet afër Normandisë.
Nëse ka një ngjarje analoge me këto masakra, ajo është Masakra në Burgun e Dubravës në majin e vitit 1999, masakër në të cilën njësitë ushtarake serbe vranë mbi 160 të burgosur shqiptarë, e qindra të tjerë mbetën të plagosur, pikërisht në ditët kur intervenimi i NATO-s kundër Serbisë ishte në kulminacionin e tij.
Por, derisa metoda e krimit është e njëjtë, motivi fashist i masakrave poashtu i njëjtë, trajtimi i tyre nga drejtësia ka qenë i ndryshëm. Për Masakrën naziste të qershorit 1944 në Abacinë Ardenne është bërë gjyqi i disa prej autorëve të saj. Ndërkaq, për Masakrën serbe të majit 1999 në Burgun e Dubravës, askush deri me tani nuk është gjykuar e lëre më dënuar.
Fashizmi serb është fashizmi i vetëm në Europë që vazhdon të mbetet i padënuar. Dhe, ne e dijmë, qysh nga kohërat e tragjedive antike greke, se krimet e padënuara ndjellin krime të reja.
 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat