Kryetari i Partisë Progresiste Demokratike, Nenad Rashiq në një intervistë për emisionin “Përballje”, ka folur rreth Samitit të Berlinit, i cili është mbajtur më 29 prill, si dhe për Samitin e radhës, i cili do të mbahet në kryeqytetin e Francës, Paris.
Rashiq deklaroi se në Samitin e Berlinit është konfirmuar qëndrimi i shteti gjerman kundër ndryshimit të kufijve.
“Takimi nuk ka qenë teknikisht serioz, ka qenë një rritje e problemit ose e vëmendjes së bisedave në nivel më të lartë. Gjermania është kundër ndarjes dhe korrigjimit të kufirit. Konsideroj që ka rënë poshtë ideja e korrigjimit të kufirit”, është shprehur Rashiq.
Mes tjerash, Rashiq ka thënë se ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve ka qenë vetëm për përdorim të brendshëm, dhe se nuk mund të realizohet.
“Ideja e presidentit Thaçi ka qenë vetëm sa për të manipuluar me njerëzit e Kosovës. Pas takimit të Berlinit është e qartë se nuk do të ketë diçka të tillë”, ka theksuar ai.
Rashiq thotë se pas mbajtjes së Samitit të Berlinit e deri në Samitin e Parisit do të shtohet intensiteti i takimeve mes Kosovës dhe Serbisë.