Bekim Jashari tregon se çfarë lidhje ka me të arrestuarin për fajde

Aktuale

Bekim Jashari tregon se çfarë lidhje ka me të arrestuarin për fajde

Më: 20 maj 2019 Në ora: 22:48
Bekim Jashari me njërin nga të arrestuarit, Ilir Bojku

Kryetari i Skenderajit, Bekim Jashari ka reaguar në lidhje me arrestimin e pesë personave gjatë ditës së sotme nga Policia e Kosovës të dyshuar për fajde.

Pas arrestimit, u shpërnda një fotografi e tij me njërin nga të arrestuarit, Ilir Bojku.

Ai ka mohuar të ketë ndonjë lidhje miqësore apo familjare por personi në fjalë kishte shprehur dëshirë të dal në fotografi me të.

Jashari tha se nuk ka lidhje me asnjë person nga grupi i të arrestuarve.

Më poshtë keni postimin e plotë të Bekim Jasharit:

Sqarim rreth apostrofimit të emrit tim në disa portale, për ngjarjen dhe personat që asnjë lidhje nuk e kam, miqësore e as familjare

Vetëm pse njerëzit shprehin dëshirën të bëjnë fotografi me mua, qoftë si djalë i Hamëz Sh. Jasharit apo edhe si kryetar i Komunës, nuk mund të nënkuptojnë domosdoshmërisht miqësinë të vërtetë mes meje dhe kujtdo qoftë me të cilin ndodhem para kamerës/fotoaparatit.

Me vjen keq ndaj disa mediave, që pa me konsultuar fare, nxitojnë të më atakojnë sa për të bërë lajm.

Ndjej obligim ndaj qytetarëve që më njohin mirë dhe dua t’i garantoj se asnjë person nga grupi i të arrestuarve, nuk e njoh e as nuk kam miqësi.

Fotografia që po qarkullon në media, është bërë spontanisht në një ndeshje kampionale futbollistike në Mynih, ku unë isha së bashku me Ramiz Lladrovcin.

Qindra fotografi brenda stadiumit e jashtë tij janë bërë atë natë, edhe me shumë bashkatdhetarë.

Nuk provoj t’ia mohoj, sikurse nuk kam mundur t’ia mohoj, e as që nuk do t’ia mohoj askujt dëshirën për të bërë fotografi me mua, kushdo qoftë ai, derisa nuk e di dhe nuk disponoj informata se personi që dëshiron të bëjë foto me mua është kriminel apo i dënuar nga gjykatat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat