Të plagosurit e paraluftës kërkojnë që statusi i tyre të përcaktohet me ligj

Aktuale

Të plagosurit e paraluftës kërkojnë që statusi i tyre të përcaktohet me ligj

Më: 21 maj 2019 Në ora: 12:11
Foto

Të gjithë të plagosurit e paraluftës që kanë marr pjesë në aktivitete të ndryshme, në kërkim të sovranitetit të Kosovës janë duke kërkuar që statusi i tyre të njihet me anë të ligjit.

Me t’i dëgjuar kërkesat e tyre, përkrahje iu dhanë gjithë deputetët e  Komisionit për të Drejtat e  Njeriut, të cilët u shprehën se duhet gjetur metoda sa më të shpejta që përmes plotësim ndryshimit të Ligjit për dëshmorëve, invalidëve dhe veteranët e UÇK-së t’iu njihet statusi i kësaj kategorie.

 Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga shoqata për të plagosurit e paraluftës dhe vet të plagosur, ku i pari i kësaj shoqate, Naim Zhitia kërkoi që të  drejtat e tyre dhe kontributi që e kanë dhënë për Kosovën t’u njihet përmes ligjit.

Zhitia; Kjo kategori duhet të njihet me ligj, ashtu siç njihen të plagosurit e luftës

“Ne kërkojmë nga institucionet e Kosovës që t’iu njihet e drejta dhe këtyre ashtu siç iu ka njohur të plagosurve në luftë. Ne mendojmë që të plagosurit në demonstrata ata faktikisht kanë mundur të rrinë në shtëpi. Por, kanë dal dhe me mbështet fuqimisht dhe me i kërku të drejtat e popullit tonë që ne sot i gëzojmë. Prandaj ne mendojmë që kjo kategori duhet të njihet me ligj, ashtu siç njihen të plagosurit e luftës së fundit në Kosovë”, tha Zhitia.

Se janë të dëshpëruar me gjendjen e deritanishme për kategorinë e tyre e tha dhe i plagosuri i paraluftës, Naser Bajrami.

Sipas tij, mos përcaktimi i statusit të tyre është dështim i institucioneve të Kosovës.

Bajrami: Nuk kemi kërkuar asgjë deri më tani duke menduar që kemi institucione

“Na kemi menduar që kemi shtet dhe institucione dhe duhet përfshirë njerëzit të cilët janë plagosur dhe kanë derdhur gjak. Fati është se ne kemi marr plumba zotëri avokat i popullit dhe zonja deputete. Do të thotë ne nuk kemi kërkuar  asgjë deri më tani duke menduar që kemi institucione për t’i përfshirë të drejtat e popullit”, shtoi Bajrami.

Një zgjidhje për këtë kategori e dha Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i cili u shpreh se nëse ka vullnet politik për përfshirjen e kësaj kategorie dhe t’iu njihet statusi duhet të bëhet plotësim ndryshim i Ligjit të dëshmorëve dhe invalidëve.

Jashari: Njëra prej opsioneve është inkuadrimi përmes plotësim ndryshimit të ligjit

“Njëra prej opsioneve eventuale, nëse  ka vullnet politik dhe eventualisht një arsyetim objektiv për përfshirjen e kësaj kategorie. Atëherë besoj që do të kishte mundur të ndjek fatin e njëjtë të bëhet plotësim ndryshimi dhe për këtë kategori të qytetarëve, sigurisht është çështje që duhet bëhet plotësim ndryshimi me aneks siç është bërë në rastin e viktimave të dhunës seksuale”, deklaroi Jashari.

 Mbështetje kjo kategori pati dhe nga ana e gjithë deputetëve të komisionit.Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu tha se kjo iniciativë është e vonuar dhe për këtë e mbështeti në parim, duke kërkuar që të ndiqen rrugët më të shpejta për të gjetur zgjidhje për këtë kategori.

Haxhiu: Ne duhet të ndjekim rrugën më të shpejt për rrugë ligjore

“Ne duhet të ndjekim rrugën më të shpejtë për rrugë ligjore, mundësi ligjore. Ne bisedojmë si komision, unë nuk jam juriste nuk e di. Besoj shumë tek avokati. Por na tregoi rrugën më të shpejt qysh mundemi me rregullu. Mirëpo ne do të shohim a ka ndonjë rrugë më të shkurtër për juve”, tha deputetja Haxhiu.

Përkrahje pati dhe nga ana e LDK-së. Mirëpo deputetja, Mirjeta Kalludra kërkoi kujdes dhe të shihet numri i saktë i kësaj kategorie, pasi sipas saj kur po bëhet përfshirja numri i tyre vetëm po fillon të rritet.

Kalludra: Kur bëhet përfshirja ky numër veç fillon dhe rritet

“Të shohim prej cilës periudhë do të përfshihet kjo kategori. Ju e cekët që është një numër i vogël. Por kur bëhet përfshirja ky numër veç fillon dhe rritet”, u shpreh deputetja e LDK-së.

Komisioni jashtë rendit të ditës, pranoi dhe një peticion të Shoqatës për Kancer të Gjirit. Kryetarja e saj Haxhie Skenderi, i shprehu disa kërkesa që sipas saj duhet të  plotësohen për kategorinë e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat