Vëllau i Myftiut e rrah një të mitur me çekan dhe e hedh nga ura

Aktuale

Vëllau i Myftiut e rrah një të mitur me çekan dhe e hedh nga ura

Më: 21 maj 2019 Në ora: 15:31
Naim Tërnava

Një ngatërresë për motive krejt të ulëta ka mundur për pak të përfundojë edhe tragjikisht për dy familje nga fshati Lismir i Fushë Kosovës. Në këtë fshat ditën e diel kishte ndodhur një rrahje e mandej edhe kërcënime me armë, për çka janë detyruar të intervenojnë njësitet policore për të ndaluar më të keqën.

Një ditë më parë Policia e Kosovës njoftoi për një rrahje që ka ndodhur mes disa personave në fshatin Lismir të Fushë Kosovës, për çka edhe janë arrestuar pesë persona si të dyshuar për përfshirje në këtë rast.

Ndonëse nga policia nuk janë dhënë shumë detaje për rastin në fjalë, Agjencia e Lajmeve FaktePlus merr vesh se ngatërresa mes dy familjeve që janë kushërinj mes vete, ka nisur për motive krejt të ulëta dhe në të është i përfshirë Zymer Tërnava, që është njëri nga vëllezërit e kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnavës.

Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, mësohet se ngatërresa ka nisur tek ura e fshatit, kur Zymer Tërnava ishte duke kaluar andej me veturë, kurse 15 vjeçari E.Tërnava ishte duke ruajtur bagëtinë aty afër.

“Zymeri ka ardhur me veturën e tij në këtë anë dhe në urën e fshatit ka rastisë të kalojnë dy palët. Ky 15 vjeçari ka qenë me një të afërm të tij, duke kaluar nëpër urë bagëtinë, respektivisht lopët. Zymeri ka ardhur me veturë në atë moment dhe ka kërkuar nga 15 vjeçari që t’i largojë më shpejt lopët nga rruga që të kalojë. Me këtë rast aty edhe janë fjalosur ku edhe ka ndodhur rrahja”, rrëfen një banor i fshatit në kushte anonimiteti.

Pas fjalosjes, Zymer Tërnava kishte dalë nga vetura për t’i qëruar hesapet me 15 vjeçarin E.Tërnava, si dhe një person tjetër i moshës mbi 20 vjeçare, që kishte qëlluar aty.

Zymeri thuhet se e ka rrahur brutalisht 15 vjeçarin, duke e goditur madje edhe me çekan. Sipas dëshmitarit, Zymer Tërnava nuk i ishte mjaftuar me kaq, pasi në fund e ka gjuajtur nga ura 15 vjeçarin, nga një lartësi prej 7 metrave, me ç’rast i mituri kishte pësuar lëndime të rënda për çka edhe ka marrë ndihmën mjekësore.

E kjo ngatërresë për motive krejt të ulëta ka mundur për pak të përfundojë edhe tragjikisht për dy familjet nga fshati Lismir i Fushë Kosovës.

Kjo meqë pas rrahjes familjet kishin ngritur edhe armët e zjarrit mes vete ani pse janë të afërm mes vete. Kjo ka detyruar të intervenojnë njësitet policore për të ndaluar më të keqën.

Siç rrëfejnë dëshmitarët, pas kësaj rrahje Zymer Tërnava kishte shkuar edhe tek familja e të miturit me armë në dorë.

E këtu kamerat e sigurisë kishin filmuar Zymerin ku edhe kishin shërbyer si prova për arrestimin e tij nga njësitet policore që kanë intervenuar në këtë rast.

Sipas asaj që ka njoftuar policia të gjithë të dyshuarit e përfshirë në këtë rrahje kanë pësuar lëndime të lehta si pasojë e grushtimeve, për të cilat kanë marrë edhe trajtimin e duhur mjekësor.

“Të dielën rreth orës 18:30 ka ndodhur një rrahje në mes të disa personave, Policia ka arrestuar pesë (5) të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë, katër prej tyre me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, njofton policia.

Bëhet e ditur se personi i pestë është liruar, pasi ai vullnetarisht ka dorëzuar një armë CZ 7.65 mm me gjashtë (6) fishekë e cila është përdorur për kanosje në rastin e rrahjes./FaktePlus

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat