I helmuari nga iftari në Drenas thotë se pronari i qebaptores erdhi na kërkoi falje duke qarë

Aktuale

I helmuari nga iftari në Drenas thotë se pronari i qebaptores erdhi na kërkoi falje duke qarë

Më: 21 maj 2019 Në ora: 21:12
Hazir Mulaj, është në mesin e 25 personave

Gjendja e personave  që po trajtohen pas helmimit në një qebaptore në Drenas, është duke u përmirësuar. Në Klinikën Infektive të QKUK-së thonë se pacientët së shpejti do të lirohen nga spitali.

Hazir Mulaj, është në mesin e 25 personave që po vazhdojnë të trajtohen në Klinikën e Infektives nga helmimi në ushqim që konsumuan në një qebaptore në  Drenas.

Ai thotë se ka ardhur edhe pronari i lokalit për t’i kërkuar falje për atë që ka ndodhur.

“Sot e pesta ditë që jam në spital. Tash po ndihem mirë. I falënderoj mjekët që kanë bërë përkujdesje shumë të madhe për ne. Ka qenë ai  djali, ka kërkuar falje dhe ka qarë para meje dhe para vëllait që e kam këtu”, thotë për RTV Dukagjinin, pacienti Hazir Mulaj.

Ndërsa, e përfshira tjetër, lutet se shpreson që kjo të mos përsëritet.

“Me 16 maj është ushqyer te ai vend dhe prej asaj dite është sëmurë. Ka marrë tre infuzione në Drenas pastaj është sjellë në QKUK. Ka pasur dhimbje të forta barku dhe bark qitje, por tash është më mirë”, shprehet nëna e njërës prej pacienteve të helmuara.

Drejtori i Klinikës së Infektives, Hamdi Ramadani thotë se në bazë të analizave të bëra është konstatuar që helmimi ka ardhur si pasojë e ushqimit të kontaminuar.

“Gjendja shëndetësore e këtyre rasteve është e mirë. gjasat janë reale që ky ushqim ka qenë i kontaminuar dhe është paraqitur sëmundja. Ajo sëmundje zakonisht paraqitet përmes ndonjë produkti nga mishi apo  vezët”, tha Hamdi Ramadani.

Qebaptorja që helmoi rreth 60 persona është mbyllur nga komuna, dhe rasti është duke u hetuar nga policia, prokuroria, inspektorati komunal dhe Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinarisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat