Nasim Haradinaj i përgjigjet Saim Tahirajt pasi e akuzoi për tradhti: Ke bërë krim që...

Aktuale

Nasim Haradinaj i përgjigjet Saim Tahirajt pasi e akuzoi për tradhti: Ke bërë krim që...

Nga: A.Zh Më: 22 maj 2019 Në ora: 09:37
Saim Tahiraj dhe Nasim Haradinaj

Saim Tahiraj, ish-bashkëluftëtar i heroit të kombit Sali Çekaj, kohë më parë e kishte akuzuar Nasim Haradinajn për tradhti. Tahiraj kishte thënë se Haradinaj nuk kishte shkuar në Koshare për të luftuar, por sipas tij, ai atje kishte shkuar si misionar.

“Ti nuk ke shkuar në Koshare për me luftua, por ke shkuar si misionar, mision që e vazhdove edhe pas luftës dhe po e vazhdon edhe sot. Televizionet në Kosovë e kanë bërë një punë të mirë me intervistat tuaja, sepse e kanë nxjerrë në sipërfaqe Nasimin e vërtetë, dhe tani më po të njeh i mbarë populli se kush je. Thotë një fjalë e urtë e popullit, ‘mos e vetë se të kallxon vetë’!”, kishte shkruar Tahiraj në një reagim të tij.

Por, këto fjalë të tij, i ka demantuar vet Nasim Haradinaj. Nënkryetari i OVL të UÇK-së, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nëse Saim Tahiraj, e dinte që ai ishte tradhtar, ai ka bërë krim pasi e kishte lejuar shokun e tij të shkonte në grup me Nasim Haradinajn.

Haradinaj ka thënë se shumë prej shokëve të Tahirajt kishin përfunduar në burg, derisa një gjë e tillë nuk kishte ndodhë edhe me Saimin.

“Ne e kemi një Saim Tahiraj që thotë që ka qenë shok i ngushtë më Sali Çekajn. Ai para se të ishte shok i Çekajt, ishte shok i imi në ilegale. Kam qenë kryetar i tij, ai as në grup nuk ka qenë por ka pasur një afishe. A din sa interesant është se ai thotë një herë që më ka tradhtuar Nasim Haradinaj. Ai thotë që e ka tradhtuar një Ismet Haziri, bashkëfshatar, që ai e ka angazhuar. Interesant Ismeti ishte në burg, ai nuk ishte në burg. Pastaj, thotë se e ka tradhtuar Mentor Kaqi, që ishte në grup me të, Mentori në burg, ai hiq”, ka deklaruar Haradinaj.

Sipas tij, Tahirajn e kishte “tradhtuar” edhe Sali Çekaj, pasi ky i fundit kishte shkuar në grupin e Haradinajt.

“E tradhtoi edhe Sali Çekaj se Saliu erdhi me mua. Më vështirë e ka pasur Sali Çekaj të bëhej me mua, apo Saimi që më ka pasur shok. Ose të paktën, nëse Saimi e ka ditur se unë apriori jam tradhtar, ai ka bërë krim që e ka lejuar shokun e tij të vinte me mu, të bëhej bashkë-tradhtarë. Kurrë nuk do ta lejoja një shok timin, të bashkohej me një njeri që do të mendoja se ishte i keq. Ose do të kisha shkuar me të aty”, ka thënë nënkryetari i OVL të UÇK-së.

Haradinaj ka treguar se cili ishte personi i vetëm që nuk e kishte tradhtuar Saim Tahirajn.

“I vetmi njeri që nuk e ka tradhtuar Saim Tahirajn, është Vul Mirqiqi, komandant i policisë së shërbimit sekret në Deçan, vrastar, që me vëlla të tij ka shitur telefona satelitorë që shiteshin deri në 2 mijë marka. Ai nuk e ka dekonspiruar ende. Por, është drojë që Vula vjen në burg, e Saimi shpëton. Aq finok është”, është shprehur për Bota sot” Nasim Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat