Ligji për referendum i nevojshëm, por kërkohet që çështja e territorit mos të përfshihet

Aktuale

Ligji për referendum i nevojshëm, por kërkohet që çështja e territorit mos të përfshihet

Më: 22 maj 2019 Në ora: 12:17
Pamje nga Komisioni për Legjislacion

(E plotësuar) - Qytetarët e Kosovës kanë nevojë që të pyeten për çështje që janë të rëndësishme për vendin dhe kjo arrihet vetëm përmes Ligjit për referendum, por pavarësisht kësaj duhet pasur kujdes që çështja e territorit të vendit dhe rendit kushtetues mos të përfshihet në këtë ligj.

Kështu u tha në dëgjimin publik që Komisioni për legjislacion ka organizuar sot për Projektligjin për referendum.

Me gjithë e përkrahjen e gjithë të pranishmëve, draft-ligji aktual u kritikua dhe u tha se duhet të riformulohet në disa nene për shkak të disa paqartësive dhe përshtatjes me Kushtetutën e vendit.

Kryetarja e Komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu tha se rëndësia e ligjit është e madhe dhe pikërisht për këtë duhet të punohet me kujdes në grupin punues. Pasi sipas saj në disa nene ka hapësirë për ndërhyrje në draft-ligjin aktual.

Haxhiu: Ky projektligji ka hapësira për ndërhyrje

“Kosova nuk ka pasur ligj për referendum dhe në këtë kuptim shumë çështje që është dashur të pyeten qytetarët e Republikës së Kosovës me anë të referendumit nuk e kemi pasur që të bëjmë. Prandaj, në këtë kuptim besoj që Projektligji për referendumin është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por në anën tjetër projektligji që e kemi dhe iu kemi dërguar në e-mail së bashku me ftesën, padyshim që ka hapësira të shumta për ndërhyrje”, u shpreh Haxhiu.

Mbështetje këtij ligji i dha dhe deputeti i Nisma-s, Bilall Sherifi, i cili u shpreh se pavarësisht kësaj, projektligji duhet të përshtatet ashtu siç është Kushtetua.

Sherifi: Ne duhet të përshtatim këtë ligj

“Me përjashtim të faktit që gjithë po pajtohemi se ky ligj është i rëndësishëm kemi dallime. Sa i përket kësaj, ka të atillë që dëshirojnë që këtë ligj  si vullnet t’i vendosin dhe Kushtetutës, por nuk munden. Ne duhet të përshtatim këtë ligj, ashtu siç e kemi këtë Kushtetutë”, tha  Sherifi.

Pjesë të këtij dëgjimi publik ishin dhe përfaqësues të zyrës së presidentit dhe kryeministrit, të cilët shprehën përkrahjen ndaj këtij ligji, por njëzëri thanë se ka mangësi të madhe draft-ligji aktual  në terminologji dhe për këtë duhet të riformulohet.

Për këtë Besim Kajtazi nga Zyra e Presidencës, kërkoi që ky draft aktual duhet të riformulohet në tërësi.

Kajtazi: Drafti bie ndesh me Kushtetutën

“Praktika që është marr këtu, një praktikë jo me një profesionalizëm, sepse është marrë një praktikë nga Zvicra.  Pa e lexuar Kushtetutën tonë, sepse drafti bie ndesh me vetë Kushtetutën tonë...për secilin nen kisha mundur të jap ndonjë koment, apo riformulim”, tha Kajtazi.

Ndërsa, Përparim Kryeziu nga organizata GLPS, tha se Projektligji për referendum në momentin që është duke diskutuar ka hapësirë për shfrytëzime politike.  Për këtë ai kërkoi që të specifikohet në mënyrë të qartë se ky lloj referendumi do të ndalohet për rendin kushtetues të Kosovës dhe territorin e saj.

Kryeziu: Projektligji nuk guxon të parashohë referendum mbi çështjen e territorit

“Në momentin që po flasim për këtë projektligj duke pasur parasysh temat e diskutimit që lidhen me territorin e Kosovës. Duke pasur parasysh dhe tendencën që ky projektligj dhe rregullimin që ky i bën për të shfrytëzuar atë  për qëllime politike. Përpos përjashtimeve që janë të listuara dhe të renditura në këtë projektligj. Konsideroj që duhet të shtohet në mënyrë specifike që projektligji nuk guxon që të parasheh, ndalon çfarëdo referendumi mbi çështjen e territorit nën një. Në dy, po ashtu, dhe për çfarëdo lloj çështje, të cilat mund të cenojnë rendin kushtetues të Kosovës”, deklaroi Kryeziu.

Saktësi më të madhe në këtë projektligj kërkoi dhe Enis Halimi nga KQZ, i cili u shpreh se një materie e një fushe të tillë kërkon tekst më në detaje për mos t’iu dhënë hapësirë për interpretime.

Halimi: Një materie e një fushe të tillë e kërkon një tekst më në detaje

“Një materie e një fushe të tillë e kërkon një tekst më në detaje në kuptimin që mos të ketë mundësi të interpretimeve dhe të bëhet  Gjykata Kushtetute si supermarket të dërgohet gjithçka aty”, tha ai.

Pjesë e këtij dëgjimi publik ishin dhe deputetë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve, të cilët i dhanë mbështetje kësaj nisme.

Kërkohet ligj për Referendum

Komisioni për Legjislacion ka organizuar një dëgjim publik për Projektligjin për Referendum, ku u tha se ai është i nevojshëm, për arsye se duhet të pyeten qytetarët për disa çështje.

Mirëpo u kërkua që të ketë kujdes dhe të ndalohet që për rendin kushtetues dhe territorin të ketë referendum.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu u shpreh se deri më tani qytetarëve të Kosovës iu është pamundësuar të pyeten për shumë çështje të rëndësishme, dhe për këtë sipas saj projektligji për referendum është shumë i rëndësishëm.

“Prandaj në këtë kuptim projektligji për referendum është i rëndësishëm, mirëpo padyshim që ka hapësira për ndërhyrje”, tha deputetja Haxhiu.

 Mbështetje këtij Projektligji i dha dhe deputeti i Nismës Bilall Sherifi, i cili tha se pavarësisht kësaj, këtë duhet të përshtatim, ashtu siç është Kushtetuta.

Pjesë të këtij dëgjimi publik ishin dhe përfaqësues të zyrës së presidentit dhe kryeministrit.

Besim Kajtazi nga Zyra e Presidencë  tha se ky draft aktual duhet të riformulohet në tërësi. Kërkesë të njëjtë kishte dhe Mentor Borovci nga Zyra e Kryeministrit.

Kurse nga organizatat e shoqërisë civile, Përparim Kryeziu u shpreh se projektligji për referendum në momentin që është duke diskutuar ka tendencë për shfrytëzime politike.

 “Duhet të shtohet në mënyrë specifike që për çështje të territorit të ndalohet në referendume dhe gjithashtu për rendin kushtetues”, tha Kryeziu.

Saktësi më të madhe në këtë projektligj kërkoi dhe Enis Halimi nga KQZ.

“Projektligjit i duhet një disa detaje që mos të mundësojë paqartësi në procesin e referendumit mandej”, tha  Halimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat