Kosova dhe Shqipëria shqyrtojnë mundësinë për oferta të përbashkëta turistike

Aktuale

Kosova dhe Shqipëria shqyrtojnë mundësinë për oferta të përbashkëta turistike

Më: 22 maj 2019 Në ora: 12:18
Pamje nga takimi

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, sot është takuar me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, i cili ishte i shoqëruar nga kryetarët e Bashkive të Vlorës dhe Himarës, përkatësisht Dritan Leli dhe Jorgo Goro, si dhe nga një grup operatorësh turistikë.

Ministri Shala tha se në këtë takim janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit.

“Biseduam për mundësinë e krijimit të ofertave të përbashkëta për turistë si për detin e Shqipërisë dhe pakon turistike malore të Kosovës”, tha Shala.

Ndërsa, Klosi tha se takimi sotme kishte për qëllim diskutimin për ofertën e përbashkët, Kosovë -Shqipëri.

“Është e pafalshme që dy vendet të mos kenë politikë të përbashkët për turizëm. Për çdo vit është duke u rritur numri i turistëve nga Kosova. Deti është pasuri e gjithë kombit shqiptar. Ndërsa, Kosova po ashtu ka malësitë e bukura për turistë”, tha Klosi.

I pyetur për ndikimin e mundshëm të uljes së numrit të turistëve kosovarë për shkak të taksës rrugore në rrugën e kombit prej 5 euro një drejtim, nuk është përgjigjur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat