Kosova dhe Shqipëria shprehin vullnetin për ofertë të përbashkët turistike

Aktuale

Kosova dhe Shqipëria shprehin vullnetin për ofertë të përbashkët turistike

Më: 22 maj 2019 Në ora: 13:20
Pamje nga takimi

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, sot është takuar me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, i cili ishte i shoqëruar nga kryetarët e Bashkive të Vlorës dhe Himarës, përkatësisht Dritan Leli dhe Jorgo Goro, si dhe nga një grup operatorësh turistikë.

Pas takimit, ministri Shala tha se kanë biseduar për mundësinë e krijimit të ofertave të përbashkëta nga operatorët ekonomik për turizmin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Shala: Ofertë e përbashkët për turizmin kosovarë dhe të Shqipërisë

“Diskutuam me Klosin për mundësinë e krijimit të ofertave të përbashkëta gjatë prezantimit të operatorëve tonë nga Kosova, njëkohësisht edhe atyre nga Shqipëria që për turistët ndërkombëtar t’u qasemi me oferta të përbashkëta. Për turistë, të cilët janë të interesuar dhe pretendojnë ta vizitojnë Shqipërinë, njëkohësisht t’u ofrohet edhe pakoja turistike për turizmin në Kosovë, do të thotë pakoja turistike malore”, tha Shala.       

Ministri Shala theksoi se si vizitorë të huaj gjatë një vitit në Republikën e Kosovës janë 4.9 milionë, prej tyre 26 për qind ose rreth 800 mijë janë nga Republika e Shqipërisë.

Edhe ministri Klosi shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, pasi sipas tij është e pafalshme që Kosova dhe Shqipëria mos të kenë ofertë të përbashkët për turizëm. 

Klosi: Deti është pasuri e gjithë kombit shqiptar

“Është e pafalshme që ne dy institucionet në të dy anët e bjeshkëve mos kemi një politikë të përbashkët. Ne vlerësojmë shumë vizitën e qytetarëve të Kosovës në Shqipëri. Në vitin 2018 ka shënuar një numër rekord i vizitorëve me pasaporta jo shqiptare, me një numër 6 milionë ku është një rritje 20 për qind, por edhe numri i vizitorëve me pasaportë kosovare ka qenë 2 milionë e 88 mijë shtetas të Kosovës ose një ngritje për 18 për qind krahasuar me vitin 2017. Deti është pasuri e gjithë kombit shqiptar. Po ashtu duhet kuptuar se operatorët turistikë, nuk kanë pse mos të ofrojnë qoftë edhe ofertën ditore për Prizrenin, Prishtinën dhe për malësitë e bukura të të dyja anëve të kufirit”, tha Klosi. 

Ndërsa, i pyetur për mundësinë e uljes së numrit të turistëve kosovarë për shkak të taksës rrugore në “Rrugën e kombit” prej 5 euro një drejtim, ministri Klosi nuk ka dhënë përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat