Loja e Thaçit: A po mashtron përsëri për Preshevën – nuk e kërkoi në Berlin thotë se do ta kërkojë në Paris

Aktuale

Loja e Thaçit: A po mashtron përsëri për Preshevën – nuk e kërkoi në Berlin thotë se do ta kërkojë në Paris

Më: 22 maj 2019 Në ora: 13:51
Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi në Samitin e Parisit që do të mbahet me 1 korrik të këtij viti në Francë, thotë se do të kërkojë në mënyrë eksplicte përkrahjen e Presidentit Emanuel Macron, për idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës më Kosovën.

“E shoh si të nevojshëm një korrigjim kufiri, pa e prekur asnjë centimetër të Republikës së Kosovës. Jam për korrigjim, jo për shkëmbim, dhe këtë ide do ta prezantojë në Paris”, ka deklaruar Thaçi.

E për këtë çështje Thaçi dje ka udhëtuar drejt Tiranës, për t’u koordinuar me kryeministrin e Shqipërisë, për qëndrimet që do të mbajnë në Paris.

“Si gjithmonë, kënaqësi takimi me kryeministrin Edi Rama. Biseduam për aktualitetet politike në Kosovë, Shqipëri dhe rajon, si dhe për përgatitjet e Kosovës për Samitin e Parisit”, ka shkruar Thaçi të martën në profilin e tij zyrtar.

Por idenë për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën, Thaçi nuk e kishte përmendur fare gjatë qëndrimit në Berlin, në samitin e kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila është kundërshtarja më e madhe e prekjes së kufijve në Ballkan.

Madje ai në një intervistë për ‘Der Spiegel’, kishte thënë që synon bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën përmes hapjes së kufijve, por jo duke i ndryshuar kufijtë shtetëror.

“Kjo kurrë nuk ka qenë ide e imja, por ashtu disi u krijua. Sidoqoftë, unë do të doja që zonat e banuara me popullatë shqiptare në Luginën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës të jenë më afër Kosovës, përmes kufijve të hapur, por pa ndryshuar kufijtë, madje as një centimetër. Atje shqiptarët diskriminohen nga serbët”, ka thënë Thaçi për Der Spiegel kur është pyetur rreth idesë së shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Idenë për bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën, Thaçi nuk e kishte përmendur as gjatë takimeve në Samitin e Berlinit.

Në dy fjalimet që kishte mbajtur atje nuk e kishte zënë fare me gojë një gjë të tillë, marrë parasysh se ndodhej në konakun e kundërshtares më të fuqishme të nismës së tij dhe Aleksadner Vuçiqit për prekje të kufijve, kancelares gjermane, Angela Merkel.

Samiti i Berlinit i mbajtur me 29 prill të këtij viti, ishte ftuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, në përpjekje e sipër për të zhbllokuar situatën në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu ishte thënë që Merkel e kishte ftuar Samitin, edhe për të bindur presidentin e Francës, Emannuel Macron, që të kishte një qëndrim të njëjtë sa i përket idesë së Thaçit e Vuçiqit, për korrigjim të kufijve. Sepse mendohej që në Francë kishte një lloj simpatie për ketë ide, marrë parasysh se kishte pasur lobime të ndryshme.

Megjithatë një ide për prekje të kufijve morri goditje të rëndë në Berlin, edhe pse Thaçi vazhdon të mohojë një gjë të tillë.

Ai në secilën intervistë të dhënë pas zhvillimeve në Gjermani, thotë se në Samitin e Berlinit as nuk është shuar ndonjë ide, e as nuk ka lindur ndonjë ide e re.

Madje është munduar që të zhvleftësojë gjithçka ka ndodhur atje, duke e quajtur Samitin e Berlinit si të dështuar, pasi pretendonte që për një takim të tillë në kryeqendrën gjermane, nuk kishte koordinim gjermano-amerikan.

E për një pretendim të tillë, Thaçin e kishin demantuar nga Berlini zyrtar, në një përgjigje.

Ata kishin potencuar se sa u përket zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Gjermania është në koordinim të vazhdueshëm dhe konstant me SHBA-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat