Kritikoi krerët e shtetit, largohet me forcë nga tubimi i mbijetuari i masakrës së Dubravës - Bota Sot
Kritikoi krerët e shtetit, largohet me forcë nga tubimi i mbijetuari i masakrës së Dubravës

Aktuale

Kritikoi krerët e shtetit, largohet me forcë nga tubimi i mbijetuari i masakrës së Dubravës

Më: 22 maj 2019 Në ora: 14:53
Shefqet Kabashi

Në 20-vjetorin e masakrës që forcat serbe orkestruan ndaj të burgosurve në burgun e Dubravës situata eskaloi kur ish-i mbijetuari i kësaj masakre, Shefqet Kabashi doli para të pranishmëve dhe iu drejtua krerëve të institucioneve se ata nuk meritojnë të jenë prezent në këtë manifestim.

Derisa moderatorja e programit mundohej ta mbajë situatën nën kontroll, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu drejtua disa ish-të mbijetuarve të masakrës së Dubravës, duke i përmendur edhe me emra madje si Hajredin Kuçit dhe Nait Hasanit, të cilët sipas tij, e kanë quajtur tradhtar.

Kabashi: Duhet t’ju vijë turp

"Marre duhet me ju ardhur, ju nuk duhet me qenë këtu...Cilit protokoll mua këta më thonë tradhtar qita, qyky Kuçi e qyky Njazia e qyky Naiti me shokët e vet, unë nuk jam tradhtar, unë jam luftëtar i lirisë ... Na keni marrë bukën, duam shtet demokrat e jo komunist", tha ai.

Ndërsa, drejtori i Burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi ishte i pari i cili tentoi ta pengojë Kabashin madje me forcë u mundua ta largojë, duke i thënë se ka kush vendos rend këtu.

Thaçi: Ka kush vendos rend këtu

"Ka kush vendos rend këtu, nëse nuk tërhiqesh me forcë të largojë, hiqe këndej qiteni jashtë", tha ai.

E duke u larguar nga ambientet e burgut të Dubravës, Kabashi i shoqëruar nga policët me zë të lartë thoshte se ‘ju na keni bërë më zi se serbët’.

Kabashi: Na keni bë më zi se serbët

"Unë ha shqip ju na keni bë ma zi se shkijet", tha Kabashi.

Të pranishëm në këtë manifestim ku po përkujtoheshin të rënët e masakrës në burgun e Dubravës ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe shumë ish-të mbijetuar të kësaj masakre, të cilët kërkuan që ata që e kryen këtë krimi të dënohet pasi autorët e kësaj masakra thanë se dihen.

Në masakrën e Dubravës, nga data 19 maj e deri 24 maj 1999, u vranë mbi 160 të burgosur ndërsa masakrës i mbijetuan mbi 300 të tjerë.

Ndryshe, Shefqet Kabashi ishte dëshmitari kryesor në procesin gjyqësor kundër kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili nga Gjykata e Hagës ishte dënuar me dy muaj heqje lirie për "refuzim të qëllimshëm për t'iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve".

Kabashi kishte refuzuar të dëshmojë kundër Haradinajt në procesin e kaluar gjyqësor, kur kryeministri i Kosovës u shpall i pafajshëm.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...