Mazrekaj kujton kohën kur Halil Matoshi kërkonte konfederatë islamike me Turqinë dhe "mbështeste" tezën e Millosheviçit për shqiptarët

Aktuale

Mazrekaj kujton kohën kur Halil Matoshi kërkonte konfederatë islamike me Turqinë dhe "mbështeste" tezën e Millosheviçit për shqiptarët

Nga: N.Sh Më: 22 maj 2019 Në ora: 17:11
Foto ilustrim

“Suzana e mbron Sarajevën”, ishte një shkrim i vitit 1992 nga Halil Matoshi, tash këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili kërkonte konfederatë islamike me Turqinë.

Ky shkrim ishte botuar, pas deklaratave të kriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, i cili thoshte se shqiptarët janë turq.

Botuesi i gazetës kombëtare “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj, ka shpalosur nga arkivat, këtë shkrim të Matoshit, i cili kërkonte një konfederatë islamike Turqi - Sanxhak - Kosovë - Bosnje – Shqipëri.

Kjo madje, konsiderohej si “zgjidhje” nga Matoshi.

“Pra, në kohën kur Millosheviqi thoshte se shqiptarët janë turq, Halil Matoshi ia “përkrahte” këtë tezë duke kërkuar konfederatë islamike me Turqinë. Madje, bënte thirrje për kujdes nga Vatikani.

Andaj, unë nuk e kuptoj se çka i hyn në punë kryeministrit Haradinaj një këshilltar që ka pasur teza të njëjta si të Millosheviqit, kinse ne kemi prejardhje nga Turqia dhe lufta për liri e pavarësi është më shumë fetare”, shkruan Mazrekaj në Facebook.

Mazrekaj, pyet se si ka mundësi që kryeministri Ramush Haradinaj, i cili paraqitet kombëtarisht të ketë për këshilltar një “ithtar” të të ashtuquajturit “komb kosovar”?

Botuesi i gazetës “Bota sot”, përkujton se shkrimi i Halil Matoshit, ishte shkruar në kohën e regjimit të ashpër serb.

“Është po ky Halil Matoshi, i cili në ato vite kishte bërë shkrim kundër meje, duke thënë se isha mafiozi më i madh shqiptar në diasporë dhe aludonte se unë e financoj Ibrahim Rugovën. Për fat të mirë isha në diasporë sepse për vite me radhë jeta ime ka qenë në rrezik nga serbët dhe kolaboracionistët e tyre shqiptarë”, shkruan mes tjerash në shkrimin e tij Mazrekaj.

Më poshtë, shkrimi i plotë nga Xhevdet Mazrekaj:

Kur Millosheviqi thoshte se shqiptarët janë turq, Halil Matoshi ia “përkrahte” këtë tezë duke kërkuar konfederatë islamike me Turqinë

Halil Matoshi, aktualisht këshilltar i Kryeministrit Ramush Haradinaj, predikon fuqishëm idenë e kombit kosovar kundrejt kombit shqiptar.

Por, shqiptarizmin Halil Matoshi e kundërshtonte edhe në një formë tjetër në vitin 1992.

Në një shkrim të publikuar nga mediat e kohës së atëhershme, Matoshi fliste për një konfederatë islamike më Turqinë dhe Iranin.

Këtë ide, ai e kishte shpalosur në një shkrim me titull “Suzana e mbron Sarajevën”.

Një konfederatë islamike Turqi - Sanxhak - Kosovë - Bosnje - Shqipëri, konsiderohej si “zgjidhje”, për Matoshin.

“Perandoria e fundit , Jugosllavia po shpërbëhet ( viti 1992), pikërisht duke implikuar depërtimin islam në Ballkan. Njohja e Bosnjës, dhe kujdesi i veçantë për Sanxhakun, nga ana e Turqisë dhe më pastaj edhe e Iranit , mund të shënojë shkëlqimin e gjysmëhënës në Mesdhe dhe Ballkan”, shkruante Matoshi, duke shtuar se shqiptarët etnikë me një truall ideal për një Republikë Islamike, me mbi 70 % të konfesionit islam, ndoshta nuk do ta lëshonin rastin për të provuar ndërtimin e shtetit mbi baza fetare.

“Konfederata Turqi - Shqipëri etnike - Sanxhak - Bosnje ia siguron islamit kontinuitetin historik në këto anë të botës , premton lidhje të forta financiare me Irakun, Iranin dhe e tërë botën islamike”, theksonte ndër të tjera.

Pra, në kohën kur Millosheviqi thoshte se shqiptarët janë turq, Halil Matoshi ia “përkrahte” këtë tezë duke kërkuar konfederatë islamike me Turqinë. Madje, bënte thirrje për kujdes nga Vatikani.

Andaj, unë nuk e kuptoj se çka i hyn në punë kryeministrit Haradinaj një këshilltar që ka pasur teza të njëjta si të Millosheviqit, kinse ne kemi prejardhje nga Turqia dhe lufta për liri e pavarësi është më shumë fetare.

Si ka mundësi që Haradinaj, i cili paraqitet i fortë kombëtarisht e madje edhe me mbiemrin Gjoka, të ketë për këshilltar një “ithtar” të të ashtuquajturit “komb kosovar”.

Shkrimi i Matoshit ka qenë i shkruar në kohën e regjimit të ashpër serb, kur ushtrohej dhunë e terror ndaj shqiptarëve.

Por, ai bënte diferencën sepse ka qenë gazetar i privilegjuar dhe mjaft i zëshëm në kohën sa Millosheviqi ishte në pushtet.

Është po ky Halil Matoshi, i cili në ato vite kishte bërë shkrim kundër meje, duke thënë se isha mafiozi më i madh shqiptar në diasporë dhe aludonte se unë e financoj Ibrahim Rugovën.

Për fat të mirë isha në diasporë sepse për vite me radhë jeta ime ka qenë në rrezik nga serbët dhe kolaboracionistët e tyre shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat