Aktakuza të reja për veteranët e rrejshëm në Dukagjin, OVL s’është në dijeni

Aktuale

Aktakuza të reja për veteranët e rrejshëm në Dukagjin, OVL s’është në dijeni

Më: 24 maj 2019 Në ora: 00:46
Foto ilustrim

Zhvillime të reja pritet të ndodhin për rastin e njohur në opinion si ‘Veteranët e Rrejshëm’.

Para drejtësisë pritet të dalin edhe persona të tjerë të cilët dyshohet se keqpërdorën me listat e veteranëve në zonën e Dukagjinit.

Ndonëse nuk dihet se për cilët persona bëhet fjalë, Prokuroria e Pejës ka paralajmëruar për nesër një konferencë ku do të diskutohet për aktakuzat për rastin e veteranëve të rrejshëm.

Madje në komunikatë është përfolur për dhjetëra aktakuza për këtë rast.

“Ftoheni të merrni pjesë në konferencën e organizuar nga Prokuroria Themelore e Pejës, ku temë diskutimi do jetë ngritja e dhjetëra aktakuzave për rastin e njohur në opinionin publik si “veteranët e rrejshëm”, thuhet njoftim.

Nga zyra për informim e Prokurorisë ne  Pejë, është thënë se bëhet fjalë për aktakuza të reja të cilat pritet të dërgohen në Gjykatë, mirëpo se nuk kanë dhënë më shumë detaje për këtë.

“Bëhet fjalë për aktakuza të ngritura, si dhe për aktakuza të reja të cilat pritet të dërgohen në Gjykatë”, ka thënë shkurtimisht zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

E për këtë nuk janë në dijeni në Organizatën e Veteranëve të Luftës.

Kryetari i OVL-së për Dukagjinin, Abdyl Mushkolaj, ka thënë se nuk është në dijeni për ngritjen e aktakuzave të reja për këtë rast.

Megjithatë, ka potencuar se është në dijeni për disa dëshmi që janë dhënë në prokurori, mirëpo pa specifikuar se a bëhet fjalë për aktakuzat e reja.

“Ne nuk jemi në dijeni për aktakuzat e reja në lidhje me këtë rast. Krejt çka di është se ka pasur disa dëshmi që janë dhënë për këtë rast, mirëpo diçka tjetër jo”, ka thënë Mushkolaj.

Në dijeni nuk janë as në qendrën e Organizatës së Veteranëve të Luftës.

Kryetari i saj, Hysni Gucati tha se Prokuroria nuk i ka njoftuar nëse do të ketë aktakuza të reja të cilat do të ngriten në Gjykatë nga Prokuroria.

Sidoqoftë, detaje lidhur me këto zhvillime pritet të jipen nesër nga Prokuroria e Pejës, në konferencën që organizohet prej orës 12:00.

Kujtojmë, se lajmi e kishte publikuar listën e plotë me të gjithë emrat e atyre që Prokuroria konsideroi se fituan jashtëligjshëm pensionin e veteranit të UÇK-së.

Vetëm për këtë kategori, për katër muaj u shpenzuan rreth 26 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat