Refuzoi ofertën e Merkelit, deputeti nga Kosova “godet” Ramën

Aktuale

Refuzoi ofertën e Merkelit, deputeti nga Kosova “godet” Ramën

Nga: A.ZH Më: 24 maj 2019 Në ora: 16:24
Angela Merkel dhe Edi Rama

Kryeministri shqiptar Edi Rama, ka refuzuar kërkesën e kancelares gjermane Angela Merkel, për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit në Shqipëri.

Rama vazhdon të këmbëngulë se “30 qershori nuk është në dorën tonë”.

E kritik ndaj kryeministrit shqiptar, është treguar deputeti i Nismës Socialdemokrate Bilall Sherifi, përcjell Bota sot.

Sherifi ia ka kujtuar Ramës kur deklaronte publikisht që të ndiqeshin këshillat e aleatëve të Kosovës, për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe.

Sipas Sherifit, Qeveria e Shqipërisë është duke u ballafaquar nga të njëjtit aleat me kërkesë që të ndryshojë qëndrimin për mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor.

Ai ka thënë se zgjedhjet duhet të shtyhen përkohësisht, në mënyrë që t’i jepet një shans “Dialogut me Opozitën Shqiptare”.

Reagimi i plotë i Sherifit:

Bën çka të them unë dhe mos bën çka bëj unë!

Në kohën kur bëhej presion ndaj Qeverisë së Kosovës që të “Suspendohej Përkohësisht” taksa 100 % ndaj produkteve të Serbisë, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kërkonte publikisht që të dëgjohej këshilla e aleatëve për “Suspendimin e Përkohshëm” të kësaj takse, në mënyrë që: “T’i jepej një shans dialogut me Serbinë”.

Pas situatës së krijuar në Shqipëri, Qeveria e Shqipërisë është duke u ballafaquar nga të njejtit aleat me kërkesë që të ndryshojë qëndrimin për mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor. Fundja, askush nuk është duke kërkuar që zgjedhjet të “Anulohen Përgjithmonë”, por vetëm të shtyhen përkohësisht në mënyrë që t’i jepet një shans “Dialogut me Opozitën Shqiptare”.

Të shpresojmë që z. Rama, në të njëjtën mënyrë siç i thoshte qeverisë së Kosovës që të mos e sheh suspendimin e taksës si “Zbrapsje karshi Serbisë”, por si reflektim ndaj kërkesave të aleatëve, të veprojë në përputhje me po këto sugjerime edhe ndaj kërkesës së aletatëve për “Shtyerjen e Përkohshme të Zgjedhjeve” dhe të mos e përjetojë shtyerjen si “Zbrapsje Karshi Opozitës”.
Fundi i fundit, e mirë apo e keqe, opozita është shqiptare...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat