Veseli kërkon reagim nga ndërkombëtarët, pas paralajmërimit për dorëheqje të kryetarëve serbë

Aktuale

Veseli kërkon reagim nga ndërkombëtarët, pas paralajmërimit për dorëheqje të kryetarëve serbë

Nga: N.H Më: 24 maj 2019 Në ora: 17:11
Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar lidhur me paralajmërimin e dorëheqjes së kryetarëve të sapozgjedhur të komunave të veriut.

I pari i Kuvendit ka thënë se kjo deklaratë e dhënë pas takimit me Vuçiqin, dëshmon mungesën e vullnetit të Beogradit për paqe dhe fqinjësi të mirë.

Mes tjerash, Veseli ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të bëjnë presion për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

Ja reagimi i plotë i Veselit:

Paralajmërimi i dorëheqjes nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave të veriut të Kosovës, është një akt i pahijshëm dhe i dëmshëm që cënon bashkëjetesën dhe stabilitetin e Kosovës. Kjo deklaratë e dhënë prej tyre pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, dëshmon edhe njëherë qartazi mungesën e vullnetit të Beogradit për të ndërtuar paqe dhe fqinjësi të mirë.

Me këtë rast, i bëj thirrje përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, që të bëjnë detyrën e marrë përsipër si garantues për të bërë presion në mënyrë që Serbia të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Pavarësisht këtyre provokimeve, dua të theksoj se Republika e Kosovës është një shtet model në mbarë Evropën për sa i përket garantimit të të drejtave komuniteteve jo-shumicë dhe do të vazhdojë me këmbëngulje që me procesin e dialogut final të zgjidhë problemet e së kaluarës me Serbinë duke siguruar njohjen dhe ulësen në OKB.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat