Rrëfen Adnan Merovci: Ja si deshti ta vrasë një serb Presidentin Rugova, në ditën kur u zgjodh President

Aktuale

Rrëfen Adnan Merovci: Ja si deshti ta vrasë një serb Presidentin Rugova, në ditën kur u zgjodh President

Nga: Hava Orana Xhukolli Më: 24 maj 2019 Në ora: 19:44
Presidenti historik, Ibrahim Rugova

Ish truproja i Presidentit historik, Ibrahim Rugovës, Adnan Merovci në një postim të tij në Facebook ka kujtuar atentatin e organizuar ndaj Presidentit 27 vite më parë.

Merovci shkruan se sot 27 vite më parë ishin mbajtur zgjedhjet e para për Kuvendin dhe Presidentin e Kosovës.

Merovci ka treguar për një atentat nga një serb ndaj Presidenti Rugova, në ditën kur ai u zgjodh President i Kosovës.

Postimi i plotë:

Veç fakte!

Sot, 27 vite më pare më: 24 Maj 1992 u mbajtën zgjedhjet e para për Kuvendin dhe Presidentin e Kosovës!

Këtë ditë, për një “qime floku” i shpëtuam një atentati ndaj Presidentin RUGOVA!

Regjimi i instaluar serb në Kosovë haptazi nuk pengoi mbajtjen e zgjedhjeve, por vende-vende bëri pengesa dhe pasojat ndiheshin me marrje në pyetje të shqiptarëve në të ashtuquajturat “biseda informative”, të cilat ishin shumë të pakëndshme dhe shpesh përfundonin me dhunë, plagosje, burgosje e deri në vrasje. Gjendja ishte e tensionuar dhe përveç nga eksponentët e regjimit serb të instaluar në Kosovë, rreziku vinte edhe nga qytetarët serbë, të cilët ishin agresivë, institucionalisht të armatosur dhe në çdo situatë ishin të mbrojtur nga regjimi. Ata bënin çdo gjë dhe epilogu dihej, fajtor janë shqiptarët.

“Samo mrtav shiptar je dobar shiptar”, (Vetëm shqiptari i vdekur, është shqiptar i mirë), shkruante në hyrjen e dytë të “Lakrishtes” ku banonte RUGOVA.

Ditën e zgjedhjeve, më 24 maj 1992, pasi Kryetari votoi, dhe me grupin e përcjelljes e kthyem në banesë në “Lakrishtë”, pak para se me mbërri te hyrja e bllokut, papritmas, gjysmë metri para Kryetarit ra një mjet që më vonë e kuptuam se kishte qenë një kavanoz i madh turshie (rreth 10 kg). Kujtdo që ky kavanoz i hedhur t’i kishte rënë në kokë, do të kishte pasoja fatale. Zoti deshi dhe hedhësi i saj, një serb, nga katet e larta që më vonë e zbulova, si dhe nga cila banesë ishte hedhur, nuk kishte bërë kalkulimin e saktë kur duhet hedhur kavanozin, ashtu që ai t’i binte në kokë, kujt tjetër përveç Kryetarit. Zoti i madh na shpëtoi të gjithëve nga një fatalitet i sigurt. Të gjendur në situatë të tillë, kur në shpejtësi, perceptimi për t’ia qëlluar se çka ishte ky mjet, që në fillim m’u duk si eksploziv, reagova instinktivisht, duke dashur ta evakuoj Kryetarin, e mbulova me trup, duke dashur ta fus në hyrje për ta larguar nga ky vend i rrezikshëm. Kthimi mbrapa ishte rreziku i hedhjeve të tjera, futja brenda në ndërtesë ishte një rrezik tjetër. Nuk dija çka mund të na priste në korridor të hyrjes së errët të ndërtesës.

Kryetari si me humor më vonë e ka shpjeguar këtë rast si rrezik më tepër nga reagimi im se ajo që ndodhi.

” Adnani me shpejtësi dhe fuqi më rroku përpara duke më përmbledhur në hyrje. Desh m’i thej eshnat”, iu kishte thënë bashkëpunëtorëve.

Ky ishte një rrezik potencial dhe falë Zotit shpëtuam. Më vonë bëra hulumtimet e duhura dhe zbulova se kush e kishte hedhur atë kavanoz. Kishte qenë një familje serbe, e cila nga mllefi dhe padurueshmëria dhe urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve kishte dashur ta vriste Kryetarin, mu në ditën kur ai u zgjodh Kryetar i Kosovës.

Vetëm Zoti i madh na shpëtoi nga ky rrezik i madh.

Shkëputur nga libri: "Në Hap me RUGOVËN"!

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat