Edhe një fakt nga Antikorrupsioni se Shefi partiak i Postës mban kundërligjshëm pozitën

Aktuale

Edhe një fakt nga Antikorrupsioni se Shefi partiak i Postës mban kundërligjshëm pozitën

Më: 26 maj 2019 Në ora: 18:23
Sejdi Hoxha

Sejdi Hoxha e ka mbushur një javë si udhëheqës i dyfishtë, i Postës dhe i PDK’së në Drenas. Agjencia Antikorrupsion ende s’ka nxjerr vendim lidhur me rastin e tij. Por, Antikorrupsioni e ka çuar në shtëpi javën e kaluar një zyrtar të Agjencisë së Akreditimit i cili ishte anëtar partie dhe thurte lavde për LDK’së. I është thënë se përbën konflikt interesi mbajtja e pozitës së anëtarit të Bordit dhe ekspert i LDK’së. Kufizimit ligjor ia kishte parë sherrin Blernad Stavileci i cili kishte dështuar të bëhej Shef i KEK’ut

Agjencia Antikorrupsion e ka detyruar të japë dorëheqje një zyrtar të Agjencisë së Akreditimit vetëm pse është ekspert i LDK’së dhe ka lavdëruar Partinë e Isa Mustafës.

Por, Kryetari i Degës së PDK’së në Drenas, Sejdi Hoxha, po vazhdon të mbajë edhe pozitën e Shefit Ekzekutiv të Telekomit, pavarësisht se me Ligjin për Ndërmarrjet Publike s’lejohet mbajtja e dy pozitave të tilla.

I kontaktuar të dielën për të mësuar se a është konsultuar ende me Agjencinë Kundër Korrupsion, Sejdi Hoxha “nuk ka pasur kohë” të japë një përgjigje.

Në Agjencinë Antikorrupsion kanë pranuar se e kanë lëndën e Sejdi Hoxhës. Por, kanë refuzuar të japin përgjigje nëse kanë gjetur se zyrtari i PDK’së është në konflikt interesi. Kanë thënë se dalin me rekomandim pasi të kryhet procedura që është konfidenciale.

“Ju njoftojmë së Agjencia Kundër Korrupsionit, të gjitha informacionet që vijnë në adresë të AKK-së, e që kanë të bëjnë me situata të konfliktit të interesit, të cilat rregullohen me Ligjin nr.06/L-011 Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrim të Funksionit Publik, i analizon dhe vlerëson me shumë kujdes, dhe në rast se vlerësohet se ka elemente për situatë të Konfliktit të Interesit, zhvillohet procedura sipas Nenit 22 të Ligjit nr.06/L-011, dhe konform paragrafit 6 të Nenit 22, Agjencia gjatë gjithë procedurës respekton konfidencialitetin, deri në rezultatet përfundimtare të procedurës së zhvilluar kur bëhen të njohura”, thuhet në përgjigjen e AKK’së.

Ndërkaq në nenin, 17 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, ku precizohen “Kushtet e Kualifikimit dhe Përshtatshmërisë Profesionale” shkruan se as drejtor s’mund të jesh në një ndërmarrje publike nëse ke pozitë partiake.

Madje, aty specifikohet se pozitë të tillë s’mund ta mbajë askush nëse edhe në 36 muajt e fundit ka qenë pjesë pozitave ekzekutive e partive politike.

Image

Menjëherë pas zgjedhjes së tij në Drenas, media ka kontaktuar me Hoxhën, për ta pyetur nëse do të heqë dorë nga pozita e tij në Postë. Ai ka thënë se në një konsultim të tij me Zyrën Ligjore të Postës, është konstatuar se nuk përbën shkelje mbajtja e dy pozitave.

“Unë e kam konsultuar zyrën ligjore të Postës dhe e kam marrë një interpretim se nuk ka konflikt interesi me rastin e  zgjedhjes së kryetarit të degës së PDK’së në Drenas, për arsye se ligjimi mbi ndërmarrjet publike e specifikon që të gjithë drejtorët mund të jenë politik, përveç Kryeshefit ekzekutiv”, kishte thënë Hoxha.

Ai ka thënë po ashtu se do të konsultohet edhe me Agjencinë Kundër Korrupsion, për të ditur nëse mbajtja e dy pozitave nga ana e tij përbën konflikt interesi.

Sidoqoftë, ish-anëtari i Agjencisë së Akreditimit, Xhavit Rexhaj, kishte konfirmuar se është larguar Bordi pasi Agjencia i kishte thënë se s’mund ta mbajë pozitë partiake dhe shtetërore.

“Po, është e vërtetë që kam dhënë dorëheqje. Një nga arsyet është qëndrimi im për LDK’në. Agjencia Kundër Korrupsionit ka dal me qëndrim që nuk lejohet edhe me qenë anëtar i Agjencisë së Akreditimit edhe me pas lidhje me politikë”, ka thënë Rexhaj.

Express ka raportuar javë më parë se Rexhaj kishte lavdëruar Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se kjo është partia më e mirë në Kosovë dhe rajon dhe se është shkollë politike edhe për partitë në Ballkan.

“Vizioni Rugovian mund ta udhëheqë ende Kosovën. LDK ka pasuri e vlera te pakrahasueshme ne vizionin Rugovian. Duhet te krenohemi me te! Aty janë patriotizmi, vlerat civilizuese euro-perëndimore, maturia, lidershipi, përkushtimi, guximi, largpamësia, shteti, njerëzia … te gjitha janë aty!”, kishte shkruar Rexhaj, në Facebook.

Rexhaj ishte pjesë e Agjencisë së Akreditimit, organ i pavarur që mbikëqyr arsimin e lartë në Kosovë. Kur LDK’ja udhëhiqte arsimin në Kosovë, Rexhaj kishte këshilluar Agim Veliut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat