Përkujtohet heroi Xhemajl Fetahaj

Aktuale

Përkujtohet heroi Xhemajl Fetahaj

Më: 27 maj 2019 Në ora: 08:09
Xhemajl Fetahaj

Shoqata Kulturore “ Xhemajl Fetahaj Raushiqi”, do të mbaj akademi përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të rënies së heroit të kombit Xhemajl Metë Fetahaj.

Akademia Përkujtimore do të mbahet më 15 qershor, duke filluar nga ora 19:00, në Gjermani, konkretisht në adresën Gemeindehaus St. Anna, Hermann-Kurz-St.2 71069 Sindelfingen-Maichingen.

Xhemajl Fetahaj, u lind më 27 maj të vitit 1964, në një familje të ndershme, e njohur për tradita të larta atdhetare në fshatin Raushiq të Pejë.

Xhemajl Fetahaj, apo Xhema, siç e thërrisnin familjarët, shokët e bashkëluftëtarët, nuk u pajtua kurrë me regjimin okupues serb. Shquhet për vendosmëri, inteligjencë, devotshmëri, stabilitet, maturi dhe vetëdije të lartë kombëtare e njerëzore, për të sakrifikuar deri në flijim për lirinë e atdheut. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij atdhetare e gëzoi përkrahjen e pa rezervë të familjes, por edhe të shokëve të luftës e të idealit.

Më 31 maj 1999, bie heroikisht në përleshje me forcat pushtuese serbe, për të mos vdekur kurrë.

Dëshmorët e kombit Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala janë dëshmorët e parë, që u varrosën dy javë pas rënies në Kompleksin e Dëshmorëve në Koshare.

Për Xhemajl Fetahajn janë shkruar dhjetëra shkrime, poezi e janë kënduar këngë. Për të kanë shkruar Faton Mehmetaj, Hasan Hasani, Hasan e Lajde Blakaj; Ibish Neziri i ka kushtuar monografinë “Këtu jam për t’i luftuar armiqtë – Monografi për dëshmorin e kombit Xhemajl Fetahaj”, botoi Shoqata e të Burgosurve Politikë, Prishtinë, 2013; Regjisori Esat Brajshori, bashkëvuajtës në burgjet serbe me Xhemajlin, ia kushtoi dokumentarin “Liri për Kosovën”, etj.

Xhemajl Fetahaj është dekoruar me Urdhrin “Hero i Kosovës”, nga presidentja Atifete Jahjaga, me rastin e 5-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Heroi i kombit Xhemajl Fetahaj gjithnjë përkujtohet e nderohet me pietet të lartë për gjithë jetën, veprimtarinë dhe rënien e lavdishme për lirinë e atdheut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat