Thaçi: Dy parlamentet duhet të nxjerrin deklarata që të jetojmë në një shtet të përbashkët pa kufij

Aktuale

Thaçi: Dy parlamentet duhet të nxjerrin deklarata që të jetojmë në një shtet të përbashkët pa kufij

Më: 27 maj 2019 Në ora: 16:32
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës është e sigurt për anëtarësim në NATO dhe BE, derisa ka thënë se po krijohen rrethana të reja e që zgjidhja më e mirë, sipas tij do të ishte që Parlamenti i Kosovës dhe Shqipërisë të nxjerrin deklaratat për të jetuar në një shtet të përbashkët pa kufij.

Këto komente presidenti i vendit i ka bërë derisa ka marrë pjesë në shënimin e 20 vjetorit të operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimeve në Pashtrik.

Thaçi: zgjidhja më e mirë do të ishte që të respektohet vullneti i popullit shqiptar

“Por po krijohen edhe rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që të dy parlamentet ai i Kosovës dhe Shqipërisë të nxjerrnin deklaratat e nevojshme të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët pa kufij", tha presidenti.

Me këtë rast, Thaci tha se beteja e Pashtrikut ishte një prej betejave më të lavdishme të UCK-së, një prej betejave më mirë të organizuara krahasuar me madhështinë e projekteve të tjera.

Ai ka ndarë një rrëfim që në atë kohë kishte zhvilluar në selinë e NATO-së me gjeneralin Wesley Clark.

 Thaçi: Clark më tha: ushtria serbe nuk duhet të prek majën e Pashtrikut

 "Ai mu drejtua se të tërat do t’i kalojmë, por një gjë nuk duhet të lejojmë të ndodhë kurrë. Ushtria serbe në asnjë rrethanë, në asnjë moment nuk duhet lejuar të prek majën e Pashtrikut, ajo është e jona dhe ne do ta mbrojmë dhe asnjë ushtar, jo në Pashtrik po as në Zveçan nuk do të mbetet ushtar i Serbisë në territorin e Kosovës. Prandaj, është një e arritur historike që duhet ta ruajmë si sytë e ballit. Me betejën e Pashtrikut ne çliruam Kosovën, ne fituam partnerët ndërkombëtarë, hapëm rrugën apo mundësinë historike dhe tani jemi në një rrugë të drejtë të konsolidimit dhe forcimit të shtetit, ka pengesa dhe vështirësi plot, para së gjithash prej atyre që nuk kanë qenë entuziastë për lirinë dhe pavarësinë tonë. Por, në të njëjtën kohë ne shprehim mirënjohjen dhe respektin me përulësinë më të madhe ndaj ShBA-ve dhe NATO, këtë mirënjohje me ShBA dhe NATO-n duhet ta kultivojmë tek gjenera tat e ardhshme”, tha presidenti i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat