Paralajmërimi i LDK-së e VV-së për rrëzimin e Qeverisë, nuk e frikëson partinë e Haradinajt

Aktuale

Paralajmërimi i LDK-së e VV-së për rrëzimin e Qeverisë, nuk e frikëson partinë e Haradinajt

Më: 27 maj 2019 Në ora: 17:47
LDK

Shpeshtimet e takimeve mes liderëve të opozitës dhe zyrtarëve të partive në mes vete për mocionin e mos besimit ndaj Qeverisë, nuk po e frikësojnë partinë e kryeministrit të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Të paktën, kështu deklarohen ata edhe pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, në të cilën u diskutua për mocionin e rrëzimit të qeverisë nga ku u tha se korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë të cilat tregojnë se vendit po i nevojitet një qeveri e re dhe e përgjegjshme.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi tha se gjithë këto nisma janë e drejtë e opozitës dhe se kurdo që LDK, VV e PSD bëjnë 61 vota, atëherë mund edhe ta realizojnë qëllimin e tyre.

“Është e drejtë e opozitës që ta diskutojë rrëzimin e Qeverisë dhe në momentin që kanë 61 vota mund ta ofrojnë mocionin në Parlament dhe ta realizojnë qëllimin e tyre. Megjithatë ne konsiderojmë që Qeveria është duke funksionuar mirë dhe meriton ta vazhdojë punën”, tha Ahmeti.

Mirëpo, edhe përkundër kësaj, Ahmeti ka thënë se vendi nuk e ka kohën që të shkojë në zgjedhje. Tha se temat e rëndësishme në të cilat tashmë gjendet Kosova, janë arsyet kryesore që vendi t’u ikë zgjedhjeve të reja.

“Ne jemi të gatshëm në çdo moment për zgjedhje, por Kosova nuk e ka komoditetin tashmë në kohën kur jemi futur edhe në tema të mëdha e që janë në proces”, përfundoi Ahmeti.

Se LDK e ka seriozisht rrëzimin e Qeverisë thotë edhe deputetja e kësaj partie, Vjosa Osmani. Madje ajo gjatë ditës ka thënë se tashmë kanë 57 nënshkrime për rrëzimin e Qeverisë.

“Tashmë i kemi 57 nënshkrime të cilat janë mbledhur me herët. Për hapat e mëtejmë jemi në koordinim e sipër dhe sot të mbajmë takim të grupit parlamentar për të diskutuar këtë çështje”, ka thënë Osmani.

Ndryshe, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa gjatë javës së kaluar ka njoftuar se do të nisin një mocion të mosbesimit ndaj qeverisë Haradinaj, dhe se për ketë do të diskutojë edhe me dy partitë opozitare, Vetëvendosjen dhe Partinë Socialdemokrate.

Me kryetarin e VV-së, Albin Kurtin, Mustafa është takuar gjatë javës së kaluar, ku pas takimit ata janë shprehur që kanë pajtueshmëri për rrëzimin e qeverisë dhe marrjen e veprimeve të përbashkëta.

Po ashtu, gjatë kësaj jave kryetari i LDK-së- Isa Mustafa pritet të takohet me kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmetin për të diskutuar rreth mocionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat