IDK: Në rastin e fajdeve sistemi i drejtësisë ka dështuar

Aktuale

IDK: Në rastin e fajdeve sistemi i drejtësisë ka dështuar

Më: 28 maj 2019 Në ora: 11:19
Ehat Miftaraj

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj vlerëson se me rastin e fajdeve, ku është përmendur edhe emri i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli sistemi i drejtësisë ka treguar dështimin e tij.

Sipas Miftarajt  ky rast tregon lidhjen e grupeve të interesit dhe kriminale me sistemin e drejtësisë, policisë e gjykatave.

Miftari: Rasti i fajdeve dëshmon dështimin e sistemit të drejtësisë

“Rasti i fajdeve është rasti më reprezentativ që dëshmon dështimin e  sistemit të drejtësisë, respektivisht sistemit gjyqësor dhe prokurorisë në Kosovë. Nëse e bëjmë vetëm një analizë se si është trajtuar ky rast në vitin 2013, se si institucionet e drejtësisë kanë ofruar pandëshkueshmëri të plotë personave të përfshirë konfirmon lidhjen e grupeve të interesit dhe grupeve kriminale me sistemit të drejtësisë, me Policinë me prokurorinë dhe gjykatat....Edhe Këshilli Gjyqësor edhe Prokurorial do të duhej ta trajtojnë në mënyrën më profesionale të mundshme të shfrytëzojnë mekanizmat që i kanë në dispozicion, si Këshilli Gjyqësor edhe ai Prokurorial duhet të shikojnë se si është trajtuar ky rast”, tha Miftaraj. 

Sipas tij këta persona janë amnistuar nga sistemi i drejtësisë në Kosovë pasi që më shumë se dy vite nga ngritja e aktakuzës nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore.

Miftaraj: Që nga viti 2016 për këtë aktakuzë asnjë seancë gjyqësore nuk është thirrur

“Po flasim për një rast të një aktakuze të vitit 2016, ku flasim për të njëjtit persona për të cilët është ngritur aktakuzë dhe pothuajse për dy vite e gjysmë ende nuk është caktuar asnjë seancë gjyqësore në këtë rast”, tha Miftaraj.  

Këto komente Miftari i bëri gjatë publikimit të raportit “Pavarësia, efikasiteti, llogaridhënia dhe integriteti i Këshillave”.

Kujtojmë që ditë më parë në media  janë publikuar disa video-incizime, ku shihen disa persona të dyshuar për vepra kriminale duke marrë para dhe duke u thirrur edhe në emrin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ngjarja thuhet se ka ndodhur në vitet 2012 – 2013.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat