Thaçi i kundërpërgjigjet Vuçiqit për ushtrinë

Aktuale

Thaçi i kundërpërgjigjet Vuçiqit për ushtrinë

Më: 28 maj 2019 Në ora: 11:43
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës Hashim Thaci ka thënë se “Serbisë nuk do t’ia mbërrijë ymri të kthehet në Kosovë”.

Kjo erdhi si përgjigje ndaj deklarimeve të presidentit serb Aleksandër Vuçiq , i cili dje ka thënë se “Hashim Thaçit nuk do t’ia mbërrij ymri të vendosë pikën kufitare në Kopaonik”.

Në konferencën për gazetarë ku Thaçi ka folur për aksionin e Policisë së Kosovës në veri, ndër të tjera tha se sa më shumë që vonohet Bashkimi Evropian me liberalizim të vizave, aq më shumë rritet interesimi i Kosovës dhe Shqipërisë për heqje të pikave kufitare.

I pyetur për deklarimet e presidentit të Serbisë i cili për idenë e bashkimit kombëtar, ka thënë se “Hashim Thaçit nuk do t’ia mbërrij ymri të vendosë pikën kufitare në Kopaonik”, presidenti Thaçi tha se njësoj ka menduar Serbia edhe kur është bërë fjalë për çlirimin e Kosovës apo pavarësinë e saj.

Thaçi: Serbisë nuk do të ja mbërrij ymri me u kthy në Kosovë

“Serbia dhe Vuçiq kanë menduar edhe më herët që nuk ka me na mbërri ymri kurrë me qenë të lirë dhe të pavarur, por ja që jemi të lirë dhe të pavarur,  dhe nuk kemi Serbi në Kosovë, dhe nuk do t’ia  mbërrij kurrë ymri Serbisë të kthehet në Kosovë. Ndërsa e theksoi që sa më tepër po vonohet Bashkimi Evropian në raport me Kosovën për liberalizim vizave dhe agjendën tjetër, aq më tepër po rritet angazhimi dhe përkushtimi, por edhe vullneti i të gjithëve për një angazhim të përbashkët të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë të respektohet vullneti i qytetarëve të dy vendeve që të ndodh bashkimi kombëtar, pra Kosova dhe Shqipëria të jetojnë në një shtet të përbashkët nën ombrellën euroatlantike, gjithmonë duke përfshi Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, në Republikën e Kosovës”, tha Thaçi.

Thaçi, i cili kohët e fundit ka shpeshtuar deklaratat për bashkim të shqiptarëve në një shtet të vetëm, tha se askush nuk duhet t’i frikësohet bashkimit kombëtar.

***

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për aksionin e sotëm të Prokurorisë, Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, të zhvilluar në komunat në veri të vendit.

Ai ka thënë se në çdo rast, institucionet e Kosovës, përfshirë këtu FSK-në, janë në gjendje gatishmërie. Sipas presidentit, aksioni i sotëm  i bastisjes në veri, është  normal dhe nuk është i drejtuar ndaj një komuniteti të caktuar.

Thaçi ka thënë se është informuar nga autoritetet përkatëse të sigurisë në vend, për angazhimin e tyre në luftë kundër kontrabandës, krimit të organizuar,  duke arrestuar kështu zyrtar e qytetarë që kanë qenë pjesë e veprave kriminale.

Thaci: Qytetarët të kuptojnë këtë aksion si krejt normal

“Është një aksion i ndërmarrë në një hapësirë të gjerë, të Republikës së Kosovës, ku ka të arrestuar edhe zyrtarë, edhe qytetarë në komuna të ndryshme të Kosovës, të nacionaliteteve të ndryshme, shqiptarë, serbë, boshnjakë, është i arrestuar edhe një rus që është kamufluar nën petkun e diplomatit për të penguar policinë e Kosovës në aksionin e tyre. Ftoj qytetarët e Kosovës, posaçërisht serbët në veri, që të marrin këtë çështje si ndërmarrje krejt normale, për rend dhe ligj, nuk është e drejtuar kundër asnjë komuniteti, përkundrazi duhet të u jemi mirënjohës qytetarëve për bashkëpunimin që kanë treguar me institucionet e Republikës së Kosovës, me Policinë e Kosovës”, tha ai.

I pyetur për deklaratat e presidentit të Serbisë, për ndërhyrje në Kosovë, Thaçi ka thënë se Vuçiq nuk mund të lëvizë drejt Kosovës, duke i quajtur deklaratat e tij si populiste.

Thaçi: Në çdo rast, FSK është në gjendje gatishmërie

“Është një deklaratë populiste, një deklaratë që kryesisht ka parasysh opinionin e brendshëm në Serbi, presidenti i Serbisë Vuçiq e di shumë mirë se nuk mund të lëvizë në drejtim të Kosovës, diçka që është e pamundur, e pa imagjinueshme dhe vet ai është i bindur, por në çdo rast, institucionet e Republikës së Kosovës , duke përfshi edhe FSK-në, janë në gjendje gatishmërie”, tha Thaçi.

Ai tha se deklarimet populiste nuk janë kërcënime për luftë, veçse janë deklarime për opinionet e tyre të brendshme e për të fituar simpati më të madhe brenda opinionit publik në Serbi.

Thaçi tha se Serbia nuk duhet t’i mbrojë njerëzit që kanë shkelur ligjin, dhe kërkoi nga Serbia të tregojë bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar, që siç tha Thaçi, që nuk është lokal.

Presidenti Thaçi tha se Beogradi nuk duhet të jetë adresë e mbrojtjes për njerëzit të involvuar në krim

Kujtojmë se të martën në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës ka nisur aksion në komunat e në veri, duke bastisur lokale e arrestuar persona të dyshimtë të përfshirë në kontrabandë e vepra kriminale.

***

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se deklaratat e homologut të tij serb Aleksandar Vuçiq se ”janë në gjendje gatishmërie për ndërhyrje ushtarake në Kosovë”, janë populiste.

”Është deklaratë populiste që kryesisht ka parasysh opinionin e brendshëm në Serbi. Aleksandar Vuçiq e di shumë mirë që nuk mund të lëviz në drejtim të Kosovës diçka që është e pamundur dhe e paimagjinueshme dhe vet ai është i bindur por në çdo rast institucionet e Republikës së Kosovës duke përfshirë edhe FSK janë në gjendje gatishmërie”.

Thaçi ka deklaruar se deklarimet e tilla nuk i sheh kërcënime, dhe ka apeluar që Beogradi të mos bëhet adresë e njerëzve të involvuar në krim.

”Deklarimet populiste nuk janë kërcënime për luftë, bëhen për të fituar simpati nga opinioni publik në Serbi, askush s’bënë t’i mbrojë njerëzit që kanë shkelur ligjin, përkundrazi duhet t’i dorëzojë. Beogradi s’duhet në asnjë rrethanë të jetë adresë mbrojtëse e njerëzve të involvuar përkundrazi duhet të tregohet bashkëpunuese”.

Ai tha se ka pasur pretendime për barikada por rrugët janë të hapura dhe nuk lejohet të vihen nga askush

***

Presidenti Vuçiq e di shumë mirë që nuk mund të lëviz brenda Kosovës, për çdo rast institucionet e Kosovës do të jenë të gatshme.

Kështu tha president i vendit Hashim Thaçi i cili u pyet rreth deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili kishte urdhëruar ushtrinë që të qëndrojnë në gjendje gatishmërie, pas aksionit policor në veri të vendit.

Në një konferencë për media, presidenti Thaçi tha se aksioni i sotëm  në veri është ndërmarrë për të luftuar të keqen dhe se përmes këtij aksioni janë arrestuar zyrtarë e qytetarë të nacionaliteteve të ndryshme, në mesin e tyre edhe një rus i infiltruar nën petkun institucional.

Në këtë konferencë ai foli dhe për bashkimin kombëtar, ku tha se ai është një ideal kahmotshëm i të gjithë shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat