Rusia kërkon lirimin e rusit të arrestuar në veri, menjëherë

Aktuale

Rusia kërkon lirimin e rusit të arrestuar në veri, menjëherë

Më: 28 maj 2019 Në ora: 14:36
Vladimir Putin

Ambasada e Rusisë në Serbi të martën ka kërkuar që Kosova menjëherë të lirojë një shtetas rus të ndaluar që punon në një mision të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, raporton agjencia e lajmeve RIA.

Sipas mediumit në fjalë, shtetasi rus u arrestua në një komunë të populluar nga serbët në veri të Kosovës gjatë një operacioni policor atje.

“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të rusit dhe se përgjegjësit për këtë incident flagrant duhet të dalin para përgjegjësisë”, citohet të ketë thënë ambasada ruse.

Ndryshe, gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, deri tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, si dhe disa qytetarë.

Përveç kësaj, është raportuar se ka edhe policë të plagosur, gjendja e të cilëve është jashtë rrezikut për jetë.

Policia e Kosovës ndërkohë ka njoftuar se operacionit policor i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në veprimtari kriminale ‘pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal’ dhe vepra tjera të specifikuara.

Po ashtu gjatë operacionit, siç është bërë e ditur, Policia ka konfiskuar gjësende të ndryshme përfshirë edhe disa armë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat