Bilanci zyrtar i të lënduarve dhe arrestuarve sot në veri

Aktuale

Bilanci zyrtar i të lënduarve dhe arrestuarve sot në veri

Më: 28 maj 2019 Në ora: 15:00
Policia e Kosoves

Pas përfundimit të aksionit të organeve të sigurisë dhe drejtësisë, në disa komuna të Kosovës, është treguar bilanci zyrtar i personave të lënduar e të arrestuar, ku sipas Policisë së Kosovës, janë pesë policë të lënduar, njëri prej tyre me armë zjarri, por që gjendja e tij nuk është e rëndë.

Në një konferencë për media, Prokuroria Speciale, Inspektorati Policor dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se në operacionin e sotëm janë bastisur 12 lokacione dhe janë arrestuar 19 punonjës të Policisë.

Prej të arrestuarve, në veri të vendit, 11 janë të nacionalitetit serb, katër të nacionalitetit shqiptar dhe katër boshnjak.

Zyrtarët policor janë dërguar për mbajtje 48 orë dhe janë suspenduar, sipas procedurave.

Policia e Kosovës, gjatë operacionit të sotëm në veri të vendit hasi në rezistencë të armatosur, kështu që dha urdhër për angazhimin e njësive elite të Policisë  bashkë me pajisjet e duhura, dhe eliminuan barrikadat duke depërtuar kështu në Zubin Potok.

Aty, Policia bastisi shtëpitë dhe lokacionet që i kishin në urdhër arrest.

Gjatë operacionit janë gjetur 11 armë zjarri dhe disa telefonë .

Prokurori i Prokurorisë Speciale Sylë Hoxha tha se ky institucion i ka filluar veprimet procedurave qysh në prill, ndaj disa personave të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për veprën penale krim të organizuar të kontrabandat me mallra, dhe marrje e dhënie ryshfeti.

Hoxha: Ky është aktivitet 1 vjeçar

“Gjatë kësaj periudhe Prokuroria Speciale ka dëgjuar një numër të konsiderueshëm të dëshmitarëve që kanë kontribuar grumbullimit dhe fakteve për veprat e dyshuara penale. Pas këtij aktivitetit një vjeçar, prokuroria speciale pasi i grumbulloi provat e nevojshme ka parashtruar kërkesë gjykatës themelore në Prishtinë, kërkesë urdhër kontroll për shtëpitë dhe lokalet përcjellëse për gjithë këta dyshuar. Në mesin e t3ë dyshuarve kemi eprorë e zyrtarë të PK-së, pjesëtarë të nacionalitetit serb, shqiptar e boshnjak, e në mesin e të dyshuarve kemi edhe qytetarë, nuk janë zyrtar, por që kanë kryer veprimet për të cilat dyshohen për kontrabandim të mallrave dhe vepra të ngjashme për të cilat u deklarova”, tha ai.

Hoxha tha se kanë pas vështirësi rreth komunikim e lëvizjes në veri të vendit, por megjithatë tha se kanë kryer punë profesionale.

Rashiq Qalaj, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, tha se dje kanë marrë urdhër arrest për një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policor dhe disa qytetarëve.

Qalaj: Gjatë aksionit kemi pas probleme në komunën e Zubin Potokut

“Kemi pasur bukur shumë probleme në pjesën e komunës së Zubin Potokut, meqenëse qysh në mëngjes me të nisur policia për realizimin e urdhër arrestit dhe bastisjes së disa lokacioneve, ka hasur në një pritë në një gjuajte me armë, meqë rast kemi pasur të plagosur një zyrtar policor, i cili për fat të mirë është i plagosur lehtë gjendet në spital, nuk është i rrezikuar me jetë, po ashtu nga plumbi i njëjtë kemi pasur të goditur edhe një zyrtar tjetër policor, por meqenëse shpejtësia e plumbit ka qenë e armotizuar  meqenëse ka depërtuar në zyrtarin policor, nuk ka arritur ta shpojë zyrtarin tjetër policor, mirëpo e ka goditur duke i shkaktuar mavijosje”, tha ai.

Në këtë operacion u lënduan gjithsej 5  pjesëtarë të policisë, një me armë zjarri, një me predhë dhe tre policë morën lëndime derisa bënin përpjekje për hapje të barrikadave.

Drejtori i Policisë tregoi edhe për veturën e UNMIK-ut që ishte pjesë e barrikadës.

Qalaj: Në njërën  prej barrikadave ka qenë një veturë e UN-it

“Në përpjekjet për mënjanimin, largimin e barrikadave, dhe për të arritur në destinacionet që i kemi pasur për bastisje, në njërën prej barrikadave ka qenë një veturë e UN, dhe në të ka qenë një zyrtar i UN ndërkombëtar pra, dhe një zyrtar lokal që punon për UN. Arsyeja që i kemi marrë dhe shoqëruar ka qenë pjesëmarrja në barrikadim”, tha ai.

Ndërsa Miradije Kelmendi nga IPK, tregoi për numrin e lokacioneve të bastisura dhe gjësendeve që i kanë konfiskuar.

Kelmendi: Janë bastisur 12 lokacione, janë arrestuar 19 punonjës të policisë

Punonjësit e policisë të përfshirë në veprimtari kriminale dyshohen për vepra penale, pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal në lidhje me veprat e tjera penale si kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës zyrtare, dhënie e ryshfetit, tregti e ndaluar e të tjerë. Në operacionin e sotëm janë bastisur 12 lokacione, janë arrestuar 19 punonjës të Policisë së Kosovës, prej tyre 11 të nacionalitetit serb, katër të nacionalitet shqiptar dhe katër të nacionalitet boshnjak. Prej punonjësve të arrestuar një ka qenë në gradën e kapitenin, komandat stacioni, tre në gradën e rreshterit dhe të tjerë zyrtarë policor. Janë konfiskuar sende të ndryshme ilegale, që do të shërbehen si provë materiale në procedura penale, si armë, pajisje teknologjike dhe një sasi parash”, tha Kelmendi.

Ajo tha se zyrtarët e arrestuar me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë, dhe janë suspenduar nga detyra.

Në këtë aksion, janë lënduar edhe gjashtë qytetarë që kanë qenë pjesëmarrës në barrikada.

Policia ka njoftuar se përveç veriut, kontrolle ka bërë edhe në disa lokacione në Vushtrri dhe Drenas, operacion ky gjithashtu u i rezultuar me disa arrestime të personave të dyshuar për kontrabanda me mallra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat