Haradinaj: Reagimi i Vuçiqit është i padrejtë

Aktuale

Haradinaj: Reagimi i Vuçiqit është i padrejtë

Më: 28 maj 2019 Në ora: 15:47
Haradinaj/ Vucic

I pari i ekzekutivit, Ramush Haradinaj tha se operacioni i sotëm i Policisë së Kosovës në komunat veriore, është në shkallë të vendit, dhe si i tillë është kundër individëve të cilat janë të involvuar në kontrabandë dhe korrupsion.

Ky operacion, sipas tij nuk është kundër popullsisë serbe në veri, për çka tha se shumica e dëshmive për korrupsion janë marr nga vet qytetarët serbë.

Haradinaj ka komentuar  reagimet e  presidentit Aleksander Vuçiq për aksionin e sotëm në veri të vendit. Për shefin e Qeverisë, një reagim i tillë është mbrojtje e krimit.

Haradinaj: Është reagim i padrejtë

“Është i padrejtë si reagim, sepse luftimi i krimit është e drejtë e jona së pari, por është interes edhe i Kosovës  edhe i rajonit edhe i Evropës. Edhe është e pakuptimtë me u vu në mbrojtje të krimit në baza të caktuara, pra nuk bën askush në mbrojtje të krimit...”, tha Haradinaj.

Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë, tha se as Kosova dhe Serbia nuk mund të arrijnë të bëhen pjesë e BE-së përderisa dikush nga këto vendet e përkrah krimin. Ai tha se në Kosovë respektohen gjitha komunitetet dhe misionet ndërkombëtare, por në rast se dikush paraqet rrezik për vendin atëherë zbatohet ligji, ashtu siç ndodhi me shtetasin rus i arrestuar sot.

Haradinaj: Nëse dikush rrezikon sigurinë e vendit, ne zbatojmë ligjin

“Ne respektojmë imunitetin e përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare, Kosova nuk bën përjashtim, respekton konventat, respekton të gjitha të drejtat e përfaqësuesve të misioneve. Nëse njëri nga këta, si rasti i shtetasit rus rrezikon sigurinë e vendit ne zbatojmë ligjin, në bazë të konventave ndërkombëtare, pra këtë bën Kosova edhe në këtë rast, ne pra zbatojmë ligjin në bazë të konventave ndërkombëtare... Nuk po dua tash ta ndërlidhi këtë rast individual me agjendën e Rusisë, dihet agjenda e Rusisë cila është, është agjendë e destabilizimit. Ne jemi të vëmendshëm në vazhdimësi për agjendën e Rusisë, dhe agjenda të tjera të të tjerëve, punojmë në vazhdimësi kundër këtyre agjendave”, tha Haradinaj.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e fundit të presidentit Hashim Thaçi për bashkim kombëtar, ku sipas Haradinajt Kosova e Shqipëria duhet  të heq barrierat ndaj njëra-tjetrës.

Haradinaj: Kosova e Shqipëria t’i heqin pengesat burokratike 

“ Për çështjen e bashkimit kombëtar, është një projekt tash ta quaj, i shekujve, por në etapën që ndodhemi, mendoj se është me rëndësi që Kosova dhe Shqipëria ta thellojnë bashkëpunimin e gjithanshëm. T’i hjekin pengesat burokratike, administrative, ose ta heqin taksën e rrugës që e kanë nxjerrë atje për qytetarët e Kosovës. Pra, do të ishte mirë të veprohet më konkret edhe me ndihmu lidhjen më të fuqishme ekonomike, të gjithanshme Kosovë-Shqipëri”, tha Haradinaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat