Haradinaj: Ushtria nuk ka qenë pjesë e operacionit në veri

Aktuale

Haradinaj: Ushtria nuk ka qenë pjesë e operacionit në veri

Më: 28 maj 2019 Në ora: 16:34
Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë detaje rreth operacionit të sotëm policor në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se gjatë aksionit për arrestimin e personave të dyshuar për krim, korrupsion dhe keqpërdorim detyre, nuk ka qenë e përfshirë Ushtria e Kosovës.

I pari i Qeverisë së vendit tha se operacioni i arrestimeve dhe bastisjeve është kryer me urdhër të prokurorit dhe se i njëjti operacion është shtrirë edhe në disa vende të tjera të vendit, përfshirë Drenasin dhe Prizrenin. 

Haradinaj: Policia e Kosovës nuk ka përdorur forcë të tepruar

“Urdhri i prokurorit ka qenë arrestim, por edhe bastisje në disa raste. E vetmja mënyrë për të kryer detyrën policia, është të vizitojë këto lokacione. Operacioni ka filluar sot në mëngjes dhe është zhvilluar në bazë të ligjit, nuk ka qenë një motiv çfarëdo qoftë tjetër. Në zonat e caktuara, operacioni ka shkuar shumë qetë, pa probleme ka kryer punën e vet. Në Zubin Potok ka pasur në disa raste kundërshtim të operacionit, barrikada dhe sulm me armë zjarri. Policia e Kosovës ka qenë e kujdesshme, nuk ka përdorur forcë të tepruar, se është raportuar në disa raste, është përgjigjur në këto sulme”, tha Haradinaj.     

Ai foli edhe për reagimin e krerëve të shtetit serb ndaj operacionit të sotëm në veri.

Haradinaj: Ushtria nuk ka qenë në operacion

“Kam parë edhe reagime të Qeverisë së Serbisë, ata kanë edhe një debat të brendshëm dhe kam apeluar që të mos minohet përpjekja e Kosovës për të vendosur rend dhe ligj, të luftohet korrupsioni, krimi. Krimi nuk është rrezik vetëm për Kosovën, por është për të gjitha vendet. Duhet të bëjmë kujdes në qëndrimet tona. Ushtria nuk ka qenë e kyçur, nuk ka pse të kyçet, pasi nuk është punë e saj”, tha Haradinaj.

Ndryshe, në një konferencë për media, Prokuroria Speciale, Inspektorati Policor dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se në operacionin e sotëm janë bastisur 12 lokacione dhe janë arrestuar 19 punonjës të Policisë së Kosovës.

Prej të arrestuarve, 11 janë të nacionalitetit serb, katër shqiptarë dhe katër boshnjakë. Në këtë operacion u lënduan gjithsej 5  pjesëtarë të policisë, një me armë zjarri, një me predhë dhe tre policë morën lëndime gjatë heqjes së barrikadave. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat