Bahtiri – Vuçiqit: Ai që e ndez zjarrin, digjet vetë në të – harroni që mundeni me ndërhy në Kosovë

Aktuale

Bahtiri – Vuçiqit: Ai që e ndez zjarrin, digjet vetë në të – harroni që mundeni me ndërhy në Kosovë

Më: 28 maj 2019 Në ora: 17:52
Agim Bahtiri dhe Aleksandër Vuçiq

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, ka folur për aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku u arrestuan dhjetëra zyrtarë policorë.

Bahtiri ka treguar se ka vizituar disa prej fshatrave të veriut, ku është takuar me banorët shqiptarë dhe serbë të atyre fshatrave.

Ai ka thënë se aktualisht gjendja në veri është e mirë, dhe se nuk ka ndonjë shqetësim.

Bahtiri, në T7 ka thënë se aksioni i sotëm duhet të përshëndetet nga të gjithë, pasi ka qenë aksion jo kundër serbëve, por kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

“Të gjithë duhet me përshëndet aksionin e sotëm. Është për njerëz që kanë bërë krime e kontrabanda, andaj drejtësia do të vendos nga ta. Aksionet e tilla do t’i përkrah gjithmonë se duhet të ketë aksione të tilla për të treguar shtetësinë. Aksioni ka qenë i organizuar mirë, dhe s’ka rrezikuar askënd. Bëj apel edhe te serbët edhe të kryetarët e komunave ta mbështetin këtë aksion. Sepse ky aksion aq i mirë, është për ata që kanë bërë dëm”, ka thënë Bahtiri.

Tutje, ai ka thënë se jo vetëm në veri, por askund nëpër territor të Kosovës nuk do të lejohen të lëvizin të lirë kriminelët.

“Isha në shumë fshatra, njerëzit po i kryejnë punët e tyre. Ka qetësi absolute, kështu duhet të jetë edhe te shqiptarët, edhe te serbët. KFOR’i është i thirrur për rend dhe qetësi. E ka mandatin prej OKB’së”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka thënë i është përgjigjur edhe kërcënimeve të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për ndërhyrje në Kosovë.

“Le ta harroj ndonjë ushtri se mund të ndërhyjë në Kosovë. Vuçiqit i kam thënë dje mos prek pjesën e Kosovës. Ai që e ndez zjarrin, digjet vetë në të. Nuk duam luftë, por paqe. Nuk do ta lejojmë as Vuçiqin, e askënd tjetër që të bëjnë krime. Policia është e gatshme çdoherë të ndërhyjë”, tha Bahtiri.

Ai foli edhe për protestën e nesërme, të paralajmëruar nga Lista Serbe.

“E ftoj Rakiqin të protestoj kundër kriminelëve dhe ta përkrah Policinë e Kosovës, pjesë e së cilës janë edhe serbët. Aksioni ka qenë kundër individëve që kanë qenë të përfshirë në korrupsion e krim të organizuar”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat