Mazrekaj ngre alarmin: A po realizohet skenari i Baton Haxhiut për idenë monstruoze të korrigjimit të kufijve?

Aktuale

Mazrekaj ngre alarmin: A po realizohet skenari i Baton Haxhiut për idenë monstruoze të korrigjimit të kufijve?

Nga: M.L Më: 28 maj 2019 Në ora: 18:41
Hashim Thaçi, Aleksandar Vuçiq dhe Baton Haxhiu

Botuesi i gazetës kombëtare “Bota sot”, e konsideron të qëlluar aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në Komunat, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj dhe Drenas.

Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në facebook, ai ka theksuar se të gjithë sot janë djerë krenar me Policinë e Kosovës.

Mirëpo, sipas tij, fakti që aksioni u përcoll me interesim të madh dhe u theksua se i njëjti po zhvillohet në veri të Kosovës, nënkupton njëkohësisht edhe rrezik për ndarjen e Kosovës.

Ai kujton edhe lobimin e presidentit Thaçi për “Korrigjim të kufijve” muajve të fundit, ndërsa thotë se një përplasje serbo-shqiptare e kishte paralajmëruar Baton Haxhiu, nëse veriu nuk do t`i jepej Serbisë.

Postimi i plotë i Mazrekajt:

A po realizohet skenari i Baton Haxhiut për idenë monstruoze të korrigjimit të kufijve?

Aksioni për arrestimin e personave të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kontrabandës, në komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj dhe Drenas, na e ngjalli ndjenjën e krenarisë për Policinë e Kosovës dhe shtrirjen e autoritetit të shtetit në tërë territorin. U bë bujë e madhe mediatke me rastin e arrestimeve që ndodhën dhe në përgjithësi aksionit.

Por, në gjithë këtë ngjarje dhe euforinë që na përcolli sot, nuk ka si të mos na kujtohet Baton Haxhiu, i cili në një emision televiziv, arsyetonte faljen e veriut të Kosovës duke thënë se nëse nuk ndodhë kjo mund të ketë përplasje serbo-shqiptare. Madje, Batoni e përshkruante me anë të hartës se cila pjesë do t`i takonte Serbisë me korrigjimin e kufijve.

Ti kthehemi aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës. Një gazetar i televizionit të Haxhiut teksa raportonte për ngjarjen, tha se ky televizion ka pasur informacion që nga mbrëmë rreth aksionit që u zhvillua sot. Shumë e çuditshme se nga mund t`i ketë marrë këto informata televizioni i Haxhiut, pasi të njëjtat nuk i ka pasur as kryeministri Ramush Haradinaj.

Gjithçka ndodhi brenda pak orëve, ndërsa u arrestuan vetëm disa njerëz të thjeshtë e jo persona në poste të larta që realisht janë të lidhur direkt me krim e kontrabandë në veri.

Nëse do të ishte një aksion i rëndomtë i Policisë, përse duhej të bëhej kaq e madhe e të theksohej se “në veri” pra jo në komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut u kryen arrestime për keqpërdorim të detyrës zyrtare e kontrabandë.

Ky aksion dhe termi “veri” që u përdor sot aq shumë, tregon se Kosova po rrëshqet drejt ndarjes, sipas planit të Hashim Thaçit dhe këshilltarit të tij, Baton Haxhiu, ish bashkëpunëtor i famëkeqit Jovica Stanishiq. E fakti se kjo ngjarje ndodhi para takimit të Parisit, nënkupton se kësaj pune nuk po i vjen era e mirë.

Kujtoj se Presidenti i vendit Hashim Thaçi teksa lobonte për “korrigjimin” thoshte se në kohën e kreut të ish shtetit të Jugosllavisë Josip Broz Tito dhe të nënkryetarit Aleksandër Rankoviç, Kosova ka marrë si “dhuratë” një sipërfaqe të territorit në veri të vendit, nga Serbia, përkatësisht Zveqanin dhe Leposaviqin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat