Shteti në aksion, kështu e tregoi forcën në veri

Aktuale

Shteti në aksion, kështu e tregoi forcën në veri

Më: 28 maj 2019 Në ora: 20:08

Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në veri ku ka arrestuar 28 të persona për krim të organizuar, raporton T7

Ishte ora pesë e mëngjesit. Me autoblinda, njësite të shumta policore ia mësynë Zubin Potokut.

Këtu pjesëtarë të njësive speciale të policisë iu bindën një urdhri të Prokurorisë Speciale për të kryer një aksion që kishte për qëllim luftimin e kontrabandës, keqpërdorimit të pozitës zyrtare,dhënies së ryshfetit e shumëçka tjetër.

Me t`u nisur aksioni Mitrovica dëgjoi alarmin. Por kjo s`do ishte zhurma e vetme në pjesën veriore të vendit.

Mes Policisë së Kosovës dhe banorëve serbë në këtë pjesë u krijuan disa barrikada të cilat forcat e rendit i thyen me lehtësi.

Aksioni do të shoqërohej edhe me të shtëna, duke qenë se personat që ishin cak i policisë, e shumica nga të cilët ishin vetë policë, rezistuan.

Këto të shtëna do të qëllonin 5 nga pjesëtarët e Policisë në aksion. Por pa lëndime nuk shpëtuan as të dyshuarit.

Sidoqoftë, edhe policët edhe personat e tjerë të lënduar do të trajtoheshin më vonë në Spitalin e Mitrovicës.

Kur gjendja u duk më e qetë, policia bllokoi lëvizjen në hyrje të Zubin Potokut.

Filluan edhe kontrollet policore veturat e personat që kalonin këndej pari.

E krejt kjo po vëzhgohej nga trupat e KFOR-it në Kosovë.

Gjatë gjithë kohës një helikopter ushtarak i ndërkombëtarëve po rrinte në qiell për të siguruar nëse gjithçka është në rregull.

Përcjellje të madhe kishte edhe nga mediat vendore, serbe e  ndërkombëtare.

Por, jo të gjithë ishin të përgatitur për këtë aksion.

Banorët këtu nuk po dinin se çfarë po ndodhë.

Madje dikush që kishte dalë për të blerë bukë,  thotë se e pësoi nga konfrontimet që ndodhen mëngjesin e së martës.

I inatosur me zhvillimet e fundit ky banor i Zubin Potokut i dërgoi një porosi presidentit serb.

Në mesin e  të arrestuarve janë edhe dy punonjës të UNMIK-ut, njëri prej të cilëve është i nacionalitetit rus.  Ai u arrestua e më pas kërkoi edhe ndihmë mjekësore.

Jozyrtarisht T7 mëson se ky person u kishte ndihmuar serbeve të veriut për vendosjen e barrikadave.

Ky aksion i policisë zgjati rreth gjashtë orë, më pas autoblindat edhe u larguan nga zonat e banuara me serbë.

Pos personave të plagosur, aksioni la pas edhe dëme materiale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat