A i takon Çakorri Kosovës apo Malit të Zi? – flasin Haradinaj e Markoviq

Aktuale

A i takon Çakorri Kosovës apo Malit të Zi? – flasin Haradinaj e Markoviq

Më: 29 maj 2019 Në ora: 12:09
Haradinaj e Markoviq

(E plotësuar) - Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka deklaruar se ende nuk e kanë të përfunduar përcaktimin e vijës kufitare sa i përket marrëveshjes së arritur për Demarkacionin.

Sipas tij kjo do të bëhet kur të formohet një komision dhe të dyja palët flasin haptas me njëra tjetrën.

I pyetur të komentojë deklaratat e homologut të tij kosovar Ramush Haradinaj se ”Çakorri i takon Kosovës”, kryeministri malazez Markoviq ka thënë prapë se ”të dy palët duhet të jenë reale me njëra-tjetrën”.

Nga ana e tij kryeministri Ramsush Haradinaj nuk ka mundur të thotë siç thotë shpesh se ”Çakorri i takon Kosovës” porse edhe ai u pajtua me homologun e tij, Dushko Markoviq, se çështja e Demarkacionit duhet të zgjidhet në një mënyrë të bashkëpunimit dhe mirëbesimit mes dy shteteve.

***

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj priti në takim kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Image

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se, ardhja e kryeministrit Markoviq, i ka dy porosi sot në Kosovë, si, hapja e Qendrës për Zhvillim e Malazezëve në Kosovë, e cila u inaugurua në mëngjes, si porosi që malazezët e Kosovës janë në shtëpinë e tyre në Kosovë dhe do ta kenë përkrahjen e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe, është inaugurimi i autorrugës, që lidh në këtë rast rajonin, lidh Kosovën me Maqedoninë, por lidh edhe Maqedoninë me Shqipërinë, Maqedoninë me Malin e Zi.

Kryeministri Haradinaj, gjatë takimit ka biseduar për të gjitha temat bilaterale, duke besuar që marrëdhëniet Kosovë-Mal i Zi do të thellohen edhe më tutje për qëllimet e njëjta euroatlantike.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar homologun malazez për të gjitha zhvillimet e fundit në vend, sundimi i rendit dhe ligjit, progresin ekonomik, infrastrukturor dhe reformat e përgjithshme në vend.

Në këtë takim Kryeministri Haradinaj potencoi rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi dhe partneriteti me vendet e rajonit, në të mirë të zhvillimit të këtyre vendeve dhe të ardhmes së përbashkët evropiane.

Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova është e përkushtuar që të avancojë me marrëdhënie bilaterale me Malin e Zi edhe në fusha të interesit të përbashkët dhe takimi i sotëm është dëshmi e fortë e këtij orientimi.

Ndërkaq, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, tha se ka kënaqësinë që me kryeministrin Haradinaj të bisedojë për raportet bilaterale në mes dy shteteve dhe, hapja e Qendrës Zhvillimore, është dëshmi e një miqësie thelbësore dhe të përhershme me Kosovën, si respektim i vlerave të tyre, që janë vlerë e përbashkët euroatlantike dhe multietnike mes dy vendeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat