Shqipëria dhe Maqedonia e V. marrin rekomandimin pozitiv, Kosova qortohet për taksën

Aktuale

Shqipëria dhe Maqedonia e V. marrin rekomandimin pozitiv, Kosova qortohet për taksën

Më: 29 maj 2019 Në ora: 18:08
Komisioni Evropian

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Komisioni Evropian ka publikuar paketën vjetore të zgjerimit e cila përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Kosova, e cila mbetet ende e fundit në procesin integrues, është kritikuar për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, vendim ky që e mbanë atë përgjegjëse për pengimin e tregtisë së lirë, si një prej parimeve kryesore të BE-së.

Pakoja e zgjerimit paraqet dokumentin më të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, ku objektivisht përcaktohet gjendja faktike në çdo vend dhe vlerësohet përparimi, por edhe mangësitë në përmbushjen e kritereve në procesin e integrimit.

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn theksoi se të dy vendet Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar progres dhe reforma në sundimin e rendit dhe ligjit.

“Maqedonia e Veriut është i vetmi vend në rajon që nuk ka asnjë konflikt bilateral me vendet fqinje. Sa i përket zbatimit të reformave dëshiroj të theksoj forcimin e gjyqësorit si dhe themelimin e sistemit për parandalimin e korrupsionit që janë bërë në mënyrë të rregullt”, tha Hahn.

Ai lavdëroi edhe përparimet që ka bërë Shqipëria gjatë kohës ndërmjet publikimit të raportit të vitit të kaluar dhe raportit të këtij viti.

“Shqipëria në veçanti ka ndjekur një transformim të sistemit të drejtësisë, përfshirë edhe një vlerësim të gjyqtarëve dhe prokurorëve, procesi i vettingut është fundamental për etiketimin e korrupsionit, po ashtu ristrukturimi i gjyqësorit ka filluar mirë si dhe përpjekjet për luftën kundër korrupsionit”, theksoi Hahn.

Përderisa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u janë gëzuar raportit të Komisionit Evropian, komisionari Hahn tha se mbetet shumë punë për të bërë në Ballkanin Perëndimor. Ai tha se këto vende duhet të ofrojnë rezultate në funksionimin e institucioneve demokratike, duhet të fokusohen në pajtim, bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të mira fqinjësore.

Në rastin e Kosovës, raporti vjetor i zgjerimit thekon se Kosova ka bërë progres në zbatimin e disa çështjeve dhe reformave kyçe të lidhura me BE-në, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e kuadrit ligjor në Kosovë, fushat e sundimit të ligjit dhe të administratës publike.

Megjithatë, vendimi i Qeverisë së Kosovës për aplikimin e tarifës 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina u theksua se ka dëmtuar bashkëpunimin rajonal.

Hahn, kërkoi nga Kosova që të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe të heqë taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Kosova duhet të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe duhet të heqë taksën prej 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bonjë e Hercegovina. Në qershor do të bëj edhe një përpjekje për të zhbllokuar këtë situatë duke shkuar në këto vende, ndoshta për të përgatitur diçka për 1 korrik (Samiti në Paris). Nuk e di nëse do të jetë e dobishme, por duhet ta përdorim çdo mundësi dhe të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të zhbllokuar këtë situatë që po pengon jo vetëm zhvillimin e këtyre dy vendeve, por tërë rajonin”, tha Hahn.

Sa i përket aplikimit të Bosnjë dhe Hercegovinës për statusin e kandidatit, Komisioni Evropian nuk rekomandoi dhënien e statusit kandidat, por vendosi kritere që duhet të përmbushen paraprakisht në fushën e zhvillimit të demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe reformës së administratës publike.

Mali i Zi dhe Serbia ka theksuar Hahn ka pasur përmirësime në disa fusha, por që sipas tij, duhet të ketë përmirësime në sundimin e ligjit, ndërsa Serbia ka shtuar Hahn duhet të përcaktojë një ambient për një marrëveshje obliguese më Kosovën.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, në një konferencë për media pas publikimit të këtij raporti ka theksuar se raporti vjetor i zgjerimit 2019, ofron një vlerësim të drejtë dhe të balancuar.

Sipas saj, ky raport njeh përparimin e bërë në Kosovë, në veçanti në reformat evropiane, sundimin e rendit dhe ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në ditën kur Komisioni Evropian lansoi paketën e zgjerimit, në Prishtinë është mbajtur konferenca ndërkombëtare për perspektivat dhe sfidat për Ballkanin Perëndimor.

Aty, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian “po ndodhë ajo që nuk duhet te ndodhte, pasi që BE-ja ka mbyllur dyert për Kosovën”.

“Sot për fat të keq Bashkimi Evropian ka mbyllur dyert për Kosovën. Ne kemi zbatuar të gjitha kriteret për liberalizim. Tash e 3 vite është dhënë rekomandimi për liberalizim, ndërsa nuk ka vendim nga shtetet anëtare dhe kjo po i kushton Kosovës që të mbetet vendi padrejtësisht më i izoluar në Evropë dhe jo me fajin tonë është ky izolim, por nga paaftësia e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për të marrë vendim për liberalizimin e vizave”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi theksoi se Kosova është në rrezik për regres pasi ende pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur ende Kosovën dhe nuk ka ndodhur anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Ende pesë vendet e Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa aspirata jonë është që sa më shpejtë të jemi pjesë e familjes evropiane. Ne ende nuk kemi arritur marrëveshjen përfundimtare të paqes e cila mund të sjellë njohje ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë, ende nuk jemi anëtarësuar në OKB ku kemi një veto të palëvizshme nga Rusia, pra jemi në një gjendje në një “status quo” që për mua paraqet rrezik për regres dhe edhe një mundësi të vazhdimit të konfliktit të ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë dhe me mundësi minimale apo zero të anëtarësimit të Kosovës në OKB pa e hequr veton Rusia”, theksoi Thaçi.

Kurse, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja tha se padrejtësisht qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin të izoluar pa pasur mundësi të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.

“Kosova është shtet mbi 11 vite i cili pavarësisht konsolidimit vazhdon të sfidohet në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin padrejtësisht të izoluar pa mundësi lëvizjeje në zonën Shengen. Tani jemi duke u ballafaquar me sfida bashkëkohore të sigurisë sfida këto të karakterit politik dhe ekonomik".

"Ne jemi dëshmitarë të situatës ku korrupsioni dhe krimi i organizuar janë jo vetëm duke tkurrur institucionet publike në tërë rajonin, por edhe duke rezultuar në nje kulturë të pandëshkueshëmrisë".

"Ballkani po sfidohet nga emigrimet e mëdha në vendet perëndimore pasojat e të cilave do t'i ndjejmë në suaza afatgjate. Zgjidhja e kontesteve bilaterale në veçanti arritja e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë do të kontribuonin në të ardhmen jo vetëm të të dyjave shteteve, por tërë rajonit”, theksoi Qehaja.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, që nga viti 2009, aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, por atyre u janë kërkuar reforma të thella për të arritur të hyjnë në familjen evropiane./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat