Skandali me fajde përfshin edhe Haki Shatrin

Aktuale

Skandali me fajde përfshin edhe Haki Shatrin

Më: 29 maj 2019 Në ora: 22:36
Haki Shatri

Ish-ministri i Financave në qeveri, Haki Shatri, tani këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, ishte marrë në pyetje në vitin 2017, për rolin e tij në një kontest ndërmjet dy biznesmenëve, Astrit dhe Arben Krasniqi me Faton Dalladakun.

Njeriu i AAK-së ka thënë se krejt rastësisht ka qenë dëshmitar në një shitblerje dhe huadhënie prone ndërmjet këtyre treve.

Sipas Faton Dalladakut, Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi, e kishin involvuar atë edhe me vëllezërit Krasniqi, të cilëve kishte për t’ua shitur një pronë që ishte në hipotekë.

Pas një kohe, Dalladaku ishte ndier i tradhtuar nga vëllezërit Krasniqi dhe kishte bërë kallëzim penal ndaj tyre.

Kallëzimi penal i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prishtinë gjithashtu e përshkruante Zekë Jasiqin si të dyshuar, mes tjerash, për detyrim dhe fajde, ndërsa vëllezërit Krasniqi, bazuar në dëshmitë e Faton Dalladakut, i konsideronte të dyshuar për veprat “falsifikim i dokumenteve” dhe “dëmtim i të drejtave pronësore të personit tjetër”.

Dy vëllezërit Krasniqi ishin intervistuar si të dyshuar, njëri prej tyre ishte mbrojtur në heshtje ndërsa tjetri kishte mohuar të ketë probleme me Faton Dalladakun.

Por, ky i fundit ndihej i mashtruar dhe kishte provuar të vihej në kontakt me ta, e mes tjerash kishte kontaktuar edhe me Haki Shatrin.

“Shatri ishte intervistuar nga hetues në nëntor të vitit 2017, ku kishte bërë të ditur se kishte qenë dëshmitar në shitblerjen dhe huadhënien ndërmjet Faton Dalladakut me vëllezërit Krasniqi. Një vit më vonë, Astrit Krasniqi i kishte kërkuar Shatrit t’ia shkruante një e-mail Dalladakut, për t’ia kujtuar afatin për kthimin e huas”.

Shatri, aty, tregon edhe për një e-mail që e kishte pranuar nga Rrahim Hashimi, që në kallëzim penal thuhet ishte paralajmërues, derisa i kontaktuar nga media, Shatri ka thënë se e-mailin e kishte parë si një përzierje mes kërkesës dhe presionit.

“Nuk muj me thon që është kërcënim, është njifar… presioni por jo kërcënim. Edhe kërkesë edhe… a munesh me ndiku te ata që e kan ble, me ja kthy kti pasurinë, ky jau kthen paret. Po s’po muj me thonë që është kërcënim. Njifar presioni, ose kërkesë e përzime pak me presion”, ka thënë Shatri.

E diku ndërmjet rrugës Prishtinë – Ferizaj, emrat e tre biznesmenëve të dyshuar si pjesë e grupit që po merrej me fajde, nuk ishin dukur më interesant për hetuesinë.

Prokuroria e Ferizajt, tek e cila ishte proceduar kallëzimi penal, nuk ishte marrë me Jasiqin dhe vëllezërit Krasniqi dhe, përfundimisht, aktakuza ishte ngritur vetëm kundër Rrahim Hashimit e Kadri Rexhepit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat