Tahiri: Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian vlerëson reformën në administratën publike

Aktuale

Tahiri: Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian vlerëson reformën në administratën publike

Më: 30 maj 2019 Në ora: 00:39
Besnik Tahiri

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka komentuar raportin për Kosovën të Komisionit Evropian.

Tahiri, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se progresi i vlerësuar nga ky raport është pasqyrim i angazhimeve të institucioneve, i përkushtimit të profesionistëve brenda institucioneve, ekspertëve të angazhuar, i vullnetit të treguar politik, koordinimit dhe mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë.

Tahiri ka shtuar se raporti vlerëson progresin në reformën në administratën publike, në miratimin e Pakos së Ligjeve të Reformës, duke u konsideruar hap i rëndësishëm drejt krijimit të një shërbimi civil modern, profesional dhe përmirësimit të llogaridhënies.

“Në të njëjtën kohë, vlerësohet progresi në nismat legjislative në fushën e financave të pushtetit lokale, duke adresuar financimin e qëndrueshëm të komunave, garantimin e financimit për shërbimet minimale sociale dhe adresimin e problemeve të përsëritura në mekanizmat e sigurisë ushqimore (inspektorati i tregut, sanitar dhe fito-sanitar) dhe zjarrfikësve”, ka shkruar Tahiri.

Postimi i plotë i Tahirit:

“Është shumë inkurajues fakti që Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian vlerëson reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës. Progresi i vlerësuar nga ky raport është pasqyrim i angazhimeve të institucioneve, i përkushtimit të profesionistëve brenda institucioneve, ekspertëve të angazhuar, i vullnetit të treguar politik, koordinimit dhe mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë.

Me theks raporti vlerëson progresin Reformën në Administratën Publike, në miratimin e Pakos së Ligjeve të Reformës, duke u konsideruar hap i rëndësishëm drejt krijimit të një shërbimi civil modern, profesional dhe përmirësimit të llogaridhënies. Njëkohësisht vlerësohet Ligji për Pagat, duke ndërtuar një sistem të pagave transparent dhe më të barabartë. Në të njëjtën kohë vlerësohen udhëzimet për planifikim strategjik, bashkëpunimi me shoqërinë civile, konsultimit dhe politik-bërjes nga qeveria dhe fillimi i zbatimit të planit të veprimit për racionalizimin e agjencive.

Në kuadrin e reformave të ndërmarra theksohet progresi drejt aprovimit të Ligjit për Inspektime, duke vendosur politika dhe mekanizma që ulin barrierat për bizneset dhe përmirësojnë ndjeshëm të bërit biznes. Në të njëjtën kohë, vlerësohet progresi në nismat legjislative në fushën e financave të pushtetit lokale, duke adresuar financimin e qëndrueshëm të komunave, garantimin e financimit për shërbimet minimale sociale dhe adresimin e problemeve të përsëritura në mekanizmat e sigurisë ushqimore (inspektorati i tregut, sanitar dhe fito-sanitar) dhe zjarrfikësve.

Raporti për Kosovën pasqyron progresin në disa fusha kyçe që përvitshëm reflektoheshin si probleme, megjithatë disa nga shqetësimet dhe problemet e identifikuara në raport janë veçse në proces të adresimit, siç është numri i madh i kabinetit, përmes Ligjit për Qeverinë, apo edhe mekanizmat që pamundësojnë ndërhyrjet politike në punësimet në administratë përmes akteve nën-ligjore të Ligjeve të Reformës së Administratës Publike.

Jam tejet i inkurajuar nga vlerësimi i punës nga raporti, njëherësh mirënjohës dhe falënderues për gjithë akterët institucionalë dhe publik që kanë mbështetur reformat. Mbetem plotësisht i përkushtuar që ta rrisim edhe më tutje dinamiken për reforma në shërbim të vendit dhe synimeve për integrim evropian Qeveria e Kosovës, në ditët në vijim do të analizoj në detaje të gjeturat e raportit, duke hartuar planin sektorial të adresimit të shpejt të gjetjeve në raport”, ka shkruar Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat