Raporti i Progresit për Kosovën, çka përmban ai dhe çfarë thanë Apostolova, Thaçi, Haradinaj, Veseli dhe përfaqësues të shoqërisë civile

Aktuale

Raporti i Progresit për Kosovën, çka përmban ai dhe çfarë thanë Apostolova, Thaçi, Haradinaj, Veseli dhe përfaqësues të shoqërisë civile

Më: 30 maj 2019 Në ora: 00:50
BE

Komisioni Evropian ka publikuar sot Raportin e Progresit për vitin 2019 për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në pjesën e raportit ku flitet për Kosovën, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e disa reformave kryesore të lidhura me BE-në, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e sundimit të ligjit dhe administratës publike.

Pavarësisht arritjeve që ka bër vendi, në këtë raport janë përmendur edhe ngecjet në fusha të caktuara. Përmendet numri i madh i zëvendësministrave në Qeverinë Haradinaj, ku thuhet se do të ndikojë në kredibilitetin dhe efektivitetin e saj.

Raporti thekson se situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet sfiduese. Ndërsa lidhur me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, thuhet se ka ende punë për tu bërë në këtë aspekt.

Ndër të tjera në raport përmendet edhe vendosja e taksës 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja, ku është kërkuar nga Qeveria e Kosovës të revokojë këtë tarifë.

Të gjeturat e këtij raporti i kanë komentuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe njohës të çështjeve politike.

Sipas tyre përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës duhet t’i marrin më me seriozitet të gjeturat e këtij raporti.

Taulant Kryeziu nga Instituti Epik në një deklaratë për Telegrafin duke përmendur të gjeturat e raportit ka thënë se Kosova nuk ka arritur të përmbush agjenden evropiane.

“Sa i përket Kosovës, shqetësimet vazhdojnë kryesisht në fushën e sundimit të ligjit, ku thuhet se duhet të ndërmerren masa për t’i siguruar që institucionet e sundimit të ligjit nuk ndërmarrin veprime nën ndikimin e politikës. Thuhet që korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet institucionale dhe sistemi i drejtësisë mbetet nën ndikimin politikë. Thuhet që kredibiliteti i Qeverisë është dëmtuar shumë nga numri i lartë i zëvendës-ministrave. Po ashtu çështje tjetër është edhe dialogu ku kërkohet që të ndërtohet një momentum i ri. Në këtë rast komisioneri Hahn, ka bërë të ditur që do të ndërmarr një iniciativë të radhës, që ta riaktualizojë dialogun dhe ku kjo pritet të ndodhë gjatë muajit korrik”, ka thënë ai.

Kryeziu ka thënë se në këto të gjetura ajo që përmendet më së shumti është sistemi i drejtësisë, ku ka theksuar se duhet të gjykohen profilet e larta.

Ndërsa sipas tij në lidhje me liberalizimin e vizave, Komisioni Evropian ka kërkuar që Kosova duhet t’i përmbahet udhërrëfyesit.

“Qëndrimi i KE-së sa i përket liberalizimit të vizave, ku thuhet se Kosova ka përmbushur kriteret. Mirëpo fton institucionet e Kosovës të vazhdojnë përmbushjen dhe mirëmbajtjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi. Mos të harrojmë që kryefjala mbetet sundimi i ligjit, ndërtimi i një sistemi të drejtësisë ku ka njerëz me integritet që është dashur të hetojnë dhe gjykojnë profilet e larta politike. Ndër çështjet tjera që përmendet, është ajo që ka të bëjë me MSA-në. Thuhet që ka ngadalësim në zbatimin e detyrimeve dhe planit kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së stabilizim asocimit.  Ndërsa sa i përket agjendës evropiane të reformave, thuhet që ka disa masa të cilat janë të implementuara, por mbeten ende obligime të mëdha të adresohen. Prej 22 prioriteteve institucionet tona kanë arritur  që t’i përmbushin vetëm pesë prioritete plotësisht, dhe kryesisht në raport është përmendur fusha e konkurrencës, çështje që ka të bëjë me puënsimin dhe edukimin”, ka theksuar ai, duke përmendur edhe emërimet nëpër institucione të ndryshme publike, borde dhe agjenci e që sipas tij në raport thuhet se këto procese nuk kanë shkuar në bazë të parimit të meritokracisë,

Ndër të tjera Kryeziu ka thënë se këto të gjetura duhet që t’i vetëdijësojnë udhëheqësit institucional.

“Këto të gjetura duhet t’i vetëdijësojnë udhëheqësit institucional, duke filluar nga presidenti, kryeministri dhe kryeparlamentari, dhe të gjithë ata që e kanë obligim kushtetues që të marrin më me seriozitet obligimet kontraktuale që kanë në kuadër të rrugëtimit evropian. Institucionet tona vitin e kaluar kanë raportuar që nuk kanë përmbushur 1/3 e planit kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së MSA. Pra vetë obligimet që ia kanë paraparë vetës brenda vitit nuk kanë arritur t’i përmbushin.Kjo me pak fjalë cakton që agjenda evropiane është vetëm se retorikë politike e këtyre udhëheqësve institucional e asgjë më shumë”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër sipas analistit politik, Ramush Tahiri, ky raport është i rregullt që bëhet për Kosovën dhe me të cilin Kosova duhet të shënojë progres.

“Ajo që është me rëndësi për Kosovën është se ende nuk e ka një mekanizëm të drejtpërdrejt të Bashkimit Evropian, dhe si e tillë është si një lloj hendikepi, sepse nuk e kanë njohur pesë vendet e BE-së, për shkak të procedurave të caktuara. Është rast ‘sui generis’ që se ka pasur as një vend tjetër që aspiron të hyjë në BE”, ka thënë ai.

Tahiri ka theksuar se në këtë raport kritikohet taksa dhe se sipas tij është kritikë e duhur kjo.

“Tek Kosova thuhet që në disa fusha ka bërë progres në disa jo. Kritikohet taksa, sepse edhe duhet të kritikohet, pasi që gjithmonë është thënë që është e njëanshme dhe nuk është zgjidhje, është masë politike dhe jo ekonomike. Evropa nuk mund të thotë që Kosova ka pasur të drejt t’ia vë një masë të tillë Serbisë, sepse në raportet që i bënë me Serbinë, normalisht që nga BE kërkohet normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, dhe përparimet në pjesën e dialogut. Ajo që duhet të ishte me rëndësi është që Qeveria në bazë të kësaj, duhet të rishqyrtoj programin, jo ta lë anash ashtu sikurse raporti i Departamentit Amerikan të shtetit, e që nuk e mori parasysh. U tha që do ta bëjë si program, ku do t’i shqyrtoj në mbledhje të gjetura, por kanë kaluar disa muaj e nuk e ka shqyrtuar asnjëherë”, ka deklaruar ai.

Ndryshe për të gjeturat e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, kanë reaguar edhe përfaqësues të BE-së në Kosovë dhe diplomatë të tjerë.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova duke komentuar publikimin e Raportit të Progresit për Kosovën, nga Komisioni Evropian ka thënë se ka fusha ku është bërë përparim, por ka shumë fusha ku nevojitet ende progres.

Ajo po ashtu tha se Qeveria ka treguar përparim në përmbushjen e pakos legjislative të miratuar në shkurt, në administratë publike dhe reformimin e pagave. Lidhur me rekomandimet për liberalizimin e vizave në këtë raport, Apostolova ka thënë se të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave për Kosovën janë përmbushur.

E, komisionari i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johanes Hahn, me rastin e prezantimit të raportit të progresit për zgjerimin nga ana e Komisionit Evropian para Parlamentit Evropian, ka folur edhe për çështjen e Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka kërkuar vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, derisa i ka bërë thirrje edhe një herë Prishtinës zyrtare të heqë taksat ndaj mallrave serbe.

Hahn madje paralajmëroi se do të qëndrojë për vizitë në Prishtinë dhe Beograd gjatë muajit qershor, siç tha ai,  për të bërë përpjekje për të zhbllokuar këtë situatë, ndoshta për të përgatitur diçka për korrik.

Kurse lidhur me të gjeturat e raportit për Kosovën, kanë reaguar edhe krerët e shtetit të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka komentuar të gjeturat e raportit të Komisionit Evropian për Kosovën.

Lidhur me publikimin e këtij raporti, Thaçi ka uruar Shqipërinë për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave për antarësim në Bashkimin Evropian. Thaçi ka thënë se uron që ky rekomandim të shndërrohet në vendim nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian, që sipas tij Shqipëria në mënyrë meritore të bëhet pjesë e familjes evropiane.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ky raport ka të gjetura të përziera për Kosovën. Ai ka theksuar se është një raport që në vlersim reflekton edhe të gjeturat dhe ngecjet e sfidat që ka Kosova. Lidhur më kritikat e raportit për taksën, Haradinaj ka thënë se taksa hiqet nëse Serbia është e gatshme të arrij marrëveshje me Kosovën.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, lidhur me të gjeturat e raportit  për ka thënë se Kosova është e përkushtuar për të rritur progresin në rrugën e saj të integrimit evropian. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe për sundimin e ligjit do të jetë e pakompromis. Sipas Veselit Kosova ka vetëm një drejtim, dhe ai është integrimi në BE, në NATO dhe partneritet me SHBA-të.

Të gjeturat e këtij raporti i ka komentuar edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha. Ajo ka theksuar se duhet të fuqizohet sundimi i ligjit, dhe të forcohet lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Po ashtu Hoxha theksoi se se në këtë raport ka rekomandime pozitive për liberalizimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat