Hoti akuzon Thaçin se po punon në zhbërjen e shtetit të Kosovës

Aktuale

Hoti akuzon Thaçin se po punon në zhbërjen e shtetit të Kosovës

Më: 30 maj 2019 Në ora: 21:07
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po angazhohet në baza ditore për zhbërjen e shtetit.

Sipas tij, “për aq kohë sa ai dëshiron të ulet me Serbinë për të negociuar për territorin e Kosovës, Thaçi angazhohet për zhbërjen e shtetit të Kosovës”.

Këtë e ka quajtur naivitetin më të madh në politikën e Kosovës në 30 vjet. Hoti ka thënë se ideja për shkëmbim territoresh e korrigjim kufijsh është dëmi më i madh që i është bërë Kosovës në këtë periudhë.

Ai ka thënë se Thaçi me idenë e tij pa marrë legjitimitetin nga Kuvendi, mendon vetëm për “zogjtë”.

“Ai e fillon mëngjesin me një deklarim, në drekë një tjetër e ditën e mbyll me një tjetër. I kanë quajtur komuna të Rankoviqit e se s’na duhen ato ‘Dhurata të Rankoviqit’.Kushdo që mendon se mund të arrijë marrëveshje pa një legjitimitet të gjerë në Kosovë mendon vetëm për zogjtë”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se Haradinaj nuk ka arritur të ndalë Thaçin dhe se deklarimet e tij se ai po ndal shkëmbimin janë vetëm farsë, “sepse vetë Haradinaj ia ka lëshuar mandatin për të shkuar në Bruksel”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat