Kurti: Ky person e nxori nga burgu Hashim Thaçin që ishte arrestuar për vrasjen e Ali Ukajt

Aktuale

Kurti: Ky person e nxori nga burgu Hashim Thaçin që ishte arrestuar për vrasjen e Ali Ukajt

Nga: A.ZH Më: 31 maj 2019 Në ora: 17:48
Hashim Thaçi

Tinka Kurti, zyrtare për informim në Lëvizjen Vetëvendosje, është përfshirë në përplasjen mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, për vrasjen e gazetarit Ali Ukaj.

Berisha së fundmi ka hedhur dyshimet se Thaçi ishte arrestuar lidhur me vrasjen e gazetarit Ukaj, të cilin presidenti e kishte shok dhome.

E mbrëmë Thaçi ka akuzuar Berishën se e kishte arrestuar atë përmes autoriteteve të tij në vitin 1997 në Tiranë.

Sipas Tinka Kurtit, e cila në vitin 2011, kishte përgatitur një dokumentar për misterin e vrasjes së Ukajt, pas mbajtjes për dy ditë nga policia e Tiranës, Thaçi ishte me ndërhyrjen e Xhavit Halitit, përcjell Bota sot.

Ajo ka thënë se vrasjen e Ali Ukajt e kishte marrë përsipër, kushëriri i tij, Selman Ukaj, që ishte shpallur person me probleme të rënda mendore. Selman Ukaj, sipas Kurtit, kishte qëndruar në spitalin psikiatrik në Elbasan, ndërsa pas lirimit prej aty ai kishte shkuar në Zvicër, ku kishte mohuar se kishte të bënte me vrasjen e Ali Ukajt.

Kurti ka thënë se Thaçi nuk e ka kujtuar asnjëherë ish-cimerin e tij, e këtë nuk e ka bërë as Kadri Veseli.

“Sikur këtë e ka marrë përsipër Xhavit Haliti”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Reagimi i plotë i Tinka Kurtit:

Këto ditë kam ndjekur riaktualizimin e vrasjes së gazetarit Ali Ukaj në vitin 1997 në Tiranë.

Si autore e një dokumentari që përpiqet të hedhë dritë mbi këtë mister "E vërteta Ukaj", transmetuar në prill 2011, në KTV, po i kujtoj disa detaje meqë emisioni nuk gjendet online për shkak të problemeve me arkiva të asaj kohe.

1. Ali Ukaj e kishte aranzhuar intervistën e parë të UÇK-së dhënë nga disa persona në kushte anonimiteti për Associated Press dhe Gazetën Shqiptare. Kjo lidhje e Ali Ukajt i kishte dhënë atij epitetin "Zëdhënësi i UÇK-së".

2. Hashim Thaçi ishte arrestuar të nesërmen e vrasjes nga policia e shtetit në Tiranë.

3. Pas mbajtjes për dy ditë, Thaçi do të lirohej me ndërhyrjen e Xhavit Halitit.

4. Vrasjen e Ali Ukajt e kishte marrë përsipër një person që kishte raporte shumë të mira me gazetarin Ukaj, kushëriri i tij, Selman Ukaj i cili sipas kolegëve të gazetarit për ta shpjeguar marrëdhënien mes tyre tregonin se ai e ndihmonte Aliun edhe me pagesën e studimeve.

5. Selman Ukaj ishte shpallur me probleme mendore, "tronditje e rëndë psiqike" dhe nuk kishte mbajtur burg përkundër pranimit të krimit. Sipas dokumenteve, ai ka qëndruar disa muaj në spitalin psikiatrik në Elbasan për ta bërë të krahasueshme me ndonjë skenar filmi. Kurse pas lirimit prej aty ai shkon në Zvicër.

6.Në emër të të njëjtit figuron edhe një biznes i regjistruar në ARBK (Kjo nuk ka qenë pjesë e dokumentarit).

7. I njëjti në selamin që i kishte çuar vëllaut dhe babës së Ali Ukajt pas ngjarjes kishte thënë se nuk ka të bëjë me këtë vrasje.

8. Seancat gjyqësore për Ali Ukajn nuk mbaheshin me arsyetime banale se i vdekuri nuk mund të ketë avokat. Ndërkohë udhëtimi nga Deçani për në Tiranë në atë kohë për babain e Aliut ka qenë jashtëzakonisht i vështirë

9. Kolegët e tij gazetarë e kujtojnë Ali Ukajn si djalë shumë të guximshmëm, si njeri që e donte shumë Kosovën dhe jashtëzakonisht të pasionuar pas gazetarisë.

Hashim Thaçi e ka evituar çdo herë përmendjen e emrit të Ali Ukajt. Atëbotë kisha dërguar pyetje në Kryeministri. Nuk është përgjigjur. Nuk e ka kujtuar asnjëherë. Qoftë edhe si ish - cimer. As Kadri Veseli. Sikur këtë e ka marrë përsipër Xhavit Haliti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat