Haradinaj i reagon OKB-së: Shtetasi rus i arrestuar, spiun i kamufluar si punëtor i organizatës

Aktuale

Haradinaj i reagon OKB-së: Shtetasi rus i arrestuar, spiun i kamufluar si punëtor i organizatës

Më: 31 maj 2019 Në ora: 22:12
Ramush Haradinaj

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka reaguar ndaj vendimit të Kosovës për ta shpallur ‘persona non-grata’ shtetasin rus, Mikhail Krasnoshchekov i arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në veri.

Ai u arrestua dhe dyshohet të ketë ndihmuar personat e dyshuar për pengimin e policisë që të zhvillojë operacionin në pjesën veriore të Kosovës.

Ndërkohë, sot është marrë vendimi që ky person të shpallet ‘i padëshiruar’, me ç’rast i ndalohet edhe hyrja në shtetin e Kosovës.

Mirëpo në lidhje me këtë ka reaguar Organizata e Kombeve të Bashkuara me arsyetimin se personeli i organizatës nuk mund të shpallet persona non-grata nga asnjë shtet.

Përgjigja ka qenë e menjëhershme e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj i cili tha se ky qytetar rus ka penguar sundimin e ligjit duke përdorur veturën zyrtare të OKB-së, madje ai ka thënë se i njëjti është spiun rus i kamufluar si punëtor i OKB-së.

“Veprimet e tij janë kundër së drejtës dhe normave ndërkombëtare. Pengimi i drejtësisë dhe keqpërdorimi i simboleve të OKB-së janë shkelje e rëndë. Misioni i Rusisë pranë OSBE-së duhet ta kuptojë se sundimi i ligjit është përgjegjësi e jona ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës në një shoqëri që ne ndajmë së bashku”, ka shkruar Haradinaj.

Ky është postimi i tij i plotë:

Policia e Kosovës gjatë operacionit kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës ka arrestuar një qytetar rus, një spiun të kamufluar si punëtor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara i cili ka penguar sundimin e ligjit duke përdorur veturën zyrtare të OKB-së.

Veprimet e tij janë kundër së drejtës dhe normave ndërkombëtare. Pengimi i drejtësisë dhe keqpërdorimi i simboleve të OKB-së janë shkelje e rëndë. Misioni i Rusisë pranë OSBE-së duhet ta kuptojë se sundimi i ligjit është përgjegjësi e jona ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës në një shoqëri që ne ndajmë së bashku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat