Thaçi adreson kritika ndaj BE-së, nëse ka ende izolim do të ketë ide nacionaliste

Aktuale

Thaçi adreson kritika ndaj BE-së, nëse ka ende izolim do të ketë ide nacionaliste

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 10:00
Hashim Thaçi në Forumin e Sigurisë “To Be Secure” në Budva

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vazhduar kritikat e tij karshi Bashkimit Evropian edhe nga Budva e Malit të Zi, ku po mbahet forumi i sigurisë, duke thënë se izolimi që po i bëhet Kosovës mund të dërgojë Kosovën drejt temave nacionaliste. I pari i shtetit foli dhe për dialogun me Serbinë, ku tha se ai është në krizë, mirëpo është momenti i duhur për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

Edhe nga ky forum ballkanik i sigurisë, presidenti Thaçi  përsëriti se nuk do të ketë shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, por nuk e mohoi korrigjimin e kufijve që sipas do mund të ndodhë përmes demarkimit të kufirit.

Për të arritur zgjidhjen përfundimtare, ai kërkoi bashkëpunim më të madh ndërmjet BE-së dhe ShBA-së.

Thaçi: Është një vlerësim i standardeve të dyfishta

“Ka mjaft pakënaqësi për vonesat e BE-së, njëri prej atyre të pakënaqur jam unë me qëndrimin e ngurtë të BE-së për Kosovën që nuk e ka vlerësuar drejt progresin, e veçanërisht për liberalizimin e vizave. Sepse të ndodhë dhe më tutje izolimi i Kosovës kur ne i kemi përfunduar gjitha kriteret është absurd. Është e papranueshme prej qytetarëve. Nuk është një vlerësim, apo është një vlerësim i standardeve të dyfishta që ka sjell pakënaqësi, por në të njëjtën kohë të gjithë ne e dimë që alternative e vetme është e ardhmja Evropiane dhe në NATO, kështu që durimi ynë duhet të jetë më i madh sesa vonesat e Bashkimit Evropian”, tha ai.

I pyetur për idetë nacionaliste që po qarkullojnë në rajon,  presidenti Thaçi duke aluduar në deklaratat e tij për bashkim kombëtar, theksoi se sa më shumë që vonohet BE-ja, do të ketë ide nacionaliste dhe populliste.

Thaçi: Nëse ka ende izolim do të ketë ide nacionaliste

“Jam i bindur që sa më shumë që vonohen Bashkimi Evropian aq më shumë pupollizëm, do të ketë në gjitha vendet, përfshi Kosovën. Do të ketë edhe ide nacionaliste më të fuqishme, por sot patriotizmi më i madh është kultivimi i këtij multietniciteti, zhvillimi ekonomik, sjellja e investitorëve të huaj, krijimi i vendeve të reja të punës dhe rritja e mirëqenies sociale…ky izolim në Kosovë po konsiderohet si diskriminim dhe paragjykim. Nëse mbetët e izoluar do të ketë ide që nacionaliste që nuk përkojnë me frymën euroantlantike”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Thaçi tha se është në krizë, por pavarësisht kësaj është momenti dhe duhet të punohet që të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

Ndërkaq, theksoi se duhet të zbatohen gjitha marrëveshjet e arritura dhe nuk do të lejohet një Republika Serbë në Kosovë.

Për opinionet e ndryshimet të kufijve Thaçi tha se është keqkuptim dhe se kurrë në tavolinën e bisedimeve  nuk ka qenë shkëmbimi i territoreve.

Mirëpo, Thaçi tha se për të arritur marrëveshjen përfundimtare duhet demarkim i kufijve. Sipas tij, korrigjimet e kufijve kanë ndodhur edhe në shtete të tjera dhe se kjo është në kuadër të çështjeve të hapura që kanë me Serbinë përfshi krimet serbe në Kosovë.

Thaçi: Asnjëherë nuk ka qenë shkëmbimi i territoreve në tavolinën e bisedimeve

“Dialogu Kosovë-Serbi realisht është në krizë, nuk mundem me mohuar askush, por ka faktor që kanë ndikuar që të jetë në krizë, por e para është që se raporti Kosovë-Serbi është shumë i ndjeshëm për shkak të kaluarës së hidhur, por edhe për shkak të vështirësisë për marrjen e një vendimi strategjik për një marrëveshje përfundimtare…nuk shohë moment më të volitshëm sesa aktualisht për të arritur këtë marrëveshje historike…nëse nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare këtë kohë me Serbinë konsolidimi i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar do të jetë me plotë pengesa dhe i gjatë. Unë nuk jam ithtar i një rrugëtimi palestinez të Kosovës për konsolidimin ndërkombëtar. Nuk duhem të jem skeptik, por jam realist. Një marrëveshje që synoj është që të mbyllen gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë, ligjërisht obliguese në rrafshin ndërkombëtar dhe të ruhet shpirti, struktura e shtetit dhe mos të ketë kufij me vija etnike…është krijuar një keqkuptim në opinion dhe tërë opinion është fokusuar tek mundësia e ndërrimit të kufijve. Kjo është e gabuar, këta kanë qenë zëra kritik të procesit. Kurrë në tavolinë nuk ka qenë shkëmbimi i territoreve. Për arritjen e marrëveshjes përfundimtare duhet të ndodhë demarkimi i kufijve…pa qartësimin  e vijës përfundimtare të kufirit me korigjime të lehta siç kanë ndodhur mes vendeve të rajonit do të diskutohen mes ekipeve teknike profesionale”, u shpreh ai.

Kurse, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq u shpreh se çelësi i zgjidhjes së problemeve në rajon është epilogu i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjukanoviq pati edhe disa rekomandime rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Gjukanoviq: Duhet ta kuptoni se nëse kini hyrë në dialog, më nuk kini zgjidhje

“Në çështje që kanë të bëjnë me probleme bilaterale, pavarësisht se cilat, tash flasim për Kosovën dhe Serbinë, nuk duhet të shikohen përmes prizmit të përdorimeve të brendshme, pasi aty do të bini në ngërç. Dëshironi të thoni atë që dëshiron ta dëgjoj publiku juaj. Kjo logjikë nuk do t’iu çojë askund. Duhet përmbajtur përgjegjësive politike shtetërore, duhet t’i ikni kësaj kurthe, duhet ta kuptoni se nëse kini hyrë në dialog, më nuk kini zgjidhje. Ju duhet të jini i suksesshëm në këtë drejtim dhe të kini pranë vetes partnerin dhe kjo më nuk është çështje e brendshme politike, dhe kjo do të jetë çështje ku duhet të arrini marrëveshje me partnerin. Kjo shpesh di të jetë shumë e vështirë”, tha Gjukanoviq.

Gjukanoviq ka treguar edhe arsyet e uljes në tavolinën e bisedimeve nga ana e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Gjukanoviq: Vuçiq është ulur në tavolinë të pranojë gjendjen e re faktike- Kosova shtet

“Të flasim pse e ka marrë përgjegjësinë që ka marrë presidenti Vuçiq. Ai nuk është ulur në tavolinë për të diskutuar nëse Kosova është pjesë e Serbisë ose jo. Përkujtojmë kjo ishte tezë dominuese politike deri vonë. Pra, ai është ulur në tavolinë që të bisedojë që të bisedojë për kushtet me të cilat do të formalizohet kjo gjendje e re faktike, ku Kosova është shtet. Pajtohem me atë që Thaçi tha. Nëse nuk e shfrytëzojmë këtë kohë, mendoj se do të na duhen dekada për të ardhur serish deri kjo”, tha Gjukanoviq.

Ndërsa sa i përket idesë për korrigjimin e kufijve, presidenti Gjukanoviq indirekt është shprehur kundër duke thënë se zgjidhja duhet të kërkohet përmes shoqërisë multietnike dhe formulës së Badinterit, pasi në këtë rast do të kishte demarkim të kufijve edhe ndërmjet Serbisë e Kroacisë, Serbisë e Bosnjës, Kroacisë dhe Bosnjës.

Ai porositi se e rëndësishme është që sa më shpejt Kosova dhe Serbia t’i kthehen tavolinës së bisedimeve, pasi çdo vonesë mund të shkaktojë probleme afatgjate për gjetjen e një zgjidhje.

Forumi i Sigurisë “To be Secure” organizohet nga Këshilli Atlantik, nën patronatin e Qeverisë së Malit të Zi. Ky forum vjetor i nivelit të lartë ka mbledhur këtë vit shumë personalitete nga fusha e politikës  dhe sigurisë, të cilët kanë diskutuar për çështje rajonale dhe globale./

Thaçi kritikon ashpër BE-në: Qe 10 vite po na thonë se jemi...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke marrë pjesë në Forumin “To be Secure” në Mal të Zi.

Thaçi edhe në këtë forum ka kritikuar Bashkimin Evropian, për siç tha ai, paragjykim dhe diskriminim ndaj qytetarëve të Kosovës.

Kreu i shtetit ka theksuar se derisa Bashkimi Evropian është duke u vonuar sa i përket Kosovës idetë që nuk përkojnë me frymën euroatlantike mund të fuqizohen.

“Edhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mundet me u arrit me shpejt nëse BE na afron më shpejt se ky izolim po shihet në Kosovë si diskriminim dhe paragjykim. Sa më tepër BE vonohet me Kosovën sa më tepër rriten këto paragjykime, sa më tepër injorohen të arriturat e Kosovës në reforma dhe sa më tepër njerëz e ndien veten të izoluar atëherë unë e kam ngrit shqetësimin shumë të drejtë se njerëzit do të fillojnë të mendojnë se a po na duanë BE apo jo”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka kritikuar edhe raportin për vendin nga Komisioni Evropian.

Image

Ai ka thënë se tash e në shumë se 10 vite në këtë raport thuhet se Kosova ëhstë në fazë fillestare të zhvillimit në shumë fusha.

“Tash e 10 vite në raportin e progresit fillon me “early stage” sikur me qenë kopje  2008 me 2019. Unë e di që dikush ka rezerva në këtë drejtim por së paku të na e hapin perspektivën. Derisa BE po vonohet me Kosovën mund të ketë një fuqizim të ideve që nuk përkojnë me frymën euroatalantike”, shtoi Thaçi.

Presidenti Hashim Thaçi në këtë forum ka folur edhe për kulturën multientike që dominon në Kosovë.

Image

Ai ka thënë se të gjitha komunitete përveç në shoqëri janë të përfaqësuara edhe në institucionet e Kosovës.

“Kosova tash e 20 vite gjithë angazhimin që e ka pas e ka pas me bashkësinë ndërkombëtare. Kemi punuar me të gjitha komunitete jo shumicë për formimin e një shoqërie multietnike, në këtë drejtim është vërë progres i madh. Edhe sot në të gjitha institucionet edhe parlament edhe qeveri janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet”, tha Presidenti Hashim Thaçi.

Aksioni i Policisë para disa ditë, thotë Thaçi, ka qenë kundër një grupi kriminal multientik dhe jo vetëm kundër serbëve,ashtu siç thotë ai, se kanë shkruar mediat serbe.

“Në ballinat e mediave të Beogradit ishin fushatë kundër serbëve por jo, është goditur një rrjet i grupit të organizuar multietnik dhe jo vetëm në regjionin e veriut por në gjithë Kosovën”.

Image

Kreu i shtetit në forumin “To be Secure” ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është në krizë.

Ai teksa ka renditur të mirat e arritjes së marrëveshjes me Serbinë si dhe të kqijat në rast se nuk arrihet ajo.

“Dialogu Kosovë serbi është në krizë. Raporti Kosovë- Serbi është shumë i ndjeshëm për shkak të së kaluarës së hidhur dhe në anën tjetër dhe për shkak të vështirësisë për të marrë vendim strategjik për një marrëveshje përfundimtare. Nëse Kosova dhe Serbia mund të arrijnë gjatë këtij viti një marrëveshje përfundimtare atëherë benefitet janë shumë të mëdha. E para Kosova do të njihej nga pesë vendet e BE-së. Shpresoj që Rusia të mos mund të përdor veton në OKB. Shpresoj që ata të mos sillen ma serbë se vetë Serbia”

“Frikësohem se nëse nuk arrijmë një marrëveshje me Serbinë jokonsolidimi ndërkombëtar i Kosovës do të jetë me plotë pengesa dhe i gjatë. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të mbyllej të gjitha çështjet e hapura Kosovë-Serbi. Të jetë përfundimtare ligjërisht obliguese, të ruhet karakteri multientik në Kosovë dhe Serbi por të mos ketë kufi në vija etnik”.

Thaçi ka thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve nuk ka qenë kurrë në tavolinën e bisedimeve.

Ai i ka quajtur injorantë të gjithë ata që mendojnë se shtete do ta njohin Kosovën pa demarkim të kufirit me Serbinë.

“Kurrë në tavolinë nuk ka qenë ndonjë idenë e shkëmbimit të territoreve”, ka thënë ai. 

Thaçi: BE me standarde vlerësimi të dyfishta ndaj Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Forumin për Siguri që është duke u mbajtur në Budva të Malit të Zi ka thënë se pavarësisht pakënaqësive dhe vonesave që është duke i bërë BE-ja karshi Kosovës, e ardhmja e kësaj të fundit është në Bashkim Evropian.

Pavarësisht deklaratave të tij për bashkim kombëtar, i pari i shtetit tha se duhet pasur durim që Kosova të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

“Pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, marrëveshjes së Prespës, komunikimit mes shteteve të rajonit, rajoni është në rrugë të sigurt për të ardhmen atlantike. Unë jam veçanërisht i pakënaqur, që pavarësisht punës së mirë që ka bërë Kosova, Bashkimin Evropian po bënë vlerësime të standardeve të dyfishta për Kosovën. Por alternativa jonë është e vetmja e ardhmja për Bashkim Evropian”, tha presidenti Thaçi.

***

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij malazez, Milo Gjukanoviq, po mbajnë një diskutim të hapur në Forumin e Sigurisë “То be Secure” në Budva të Malit të Zi".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat