Limaj: Interesat e Kosovës nuk mbrohen nga një individ

Aktuale

Limaj: Interesat e Kosovës nuk mbrohen nga një individ

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 18:04
Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se kjo parti është forca vendimtare në skenën politike të Kosovës, derisa ka shtuar se për shtatë vjet përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë dialoguar me Serbinë me duar në xhepa.

Në shënimin e 5 vjetorit të themelimit të Nismës në Gjakovë, Fatmir Limaj tha se janë humbur tetë vjet duke biseduar me Serbinë dhe hapur çështje të rëndësishme për Kosovën.

Limaj: U kemi thënë kohë më parë që dialogu po zhvillohet gabim

“Ne kemi thënë në 2011 dialogun që e kemi filluar me Serbinë është gabim mënyra si e kemi filluar atë dialog, kemi thënë në 2011 që po shkoni po bisedoni me Serbinë të papërgatitur me duar në xhepa, kemi thënë se me Serbinë nuk bisedohet në mënyrën qysh e keni nisur sepse e hapni statusin, kemi thënë që së pari Serbia duhet t’i plotësojë disa parakushte për të filluar bisedimet. 7 vite kanë biseduar kanë trajtuar tema të ndryshme, e kanë negociuar emrin e Kosovës e mbi të gjitha në këto 7 vite asnjë temë serioze nuk është diskutuar për vendin tonë. Është dashur në 2018 e 2019 tani me i ngrit temat kryesore që janë më të dhimbshme për vendin tonë”, tha ai.

Ai tha e Nisma e ka ngritur zërin kundër krimeve që i mohon Serbia, e që të tjerët pak kanë folur për këtë temë, ndërkohë që sot po e përmendin pothuajse të gjithë.

Limaj tha se Nisma është ajo që më fund nxjerri rezolutën për dënimin e gjenocidit dhe krimeve në Kosovë.

Limaj: Idetë që po dalin sot janë pasojë e politikës së papërgjegjshme

“U kemi thënë kujdes me temat në të cilat futeni në bisedimet me Serbinë, çështje e ide të ndryshme që sot dalin në Kosovë nuk janë që kanë dalë dje, këto janë pasoja e shtatë-tetë viteve të një politike të papërgjegjshme që është zhvilluar në vendin tonë. Kosova, vendi, interesat tona nuk mbrohen nga individët, nuk jam unë shpëtimtar i Kosovës, nuk është as nisma shpëtimtare e Kosovës, kjo është logjikë e mbrapsht. Kosova sot ka shtet, duhet të jenë institucionet e Kosovës mbrojtëse të interesave dhe shpëtimtare. Nuk mbrohet Kosova nga një individ, por mbrohet nga shteti, institucionet për të cilat kemi luftuar e sakrifikuar”, tha ai.

Në këtë tubim me bashkpartiakë dhe simpatizantë të Nismës Socialdemokrate, zëvendëskryeministri i Kosovës, tha se në Kosovë veç aeroporti nuk është i privatizuar.

Limaj: E kemi shpëtuar aeroportin prej privatizimit nga matrapazët

“I vetmi send që nuk është privatizuar në Kosovë ka qenë Aeroporti i Prishtinës. Ka pas luftë me privatizu e nuk e kemi lejuar. Aeroporti i Prishtinës sot është vepra më e suksesshme konsensionale në rajon. Në sekondat e fundit e kemi shpëtuare mos me privatizu matrapazët”, tha ai.

Limaj tha se në pesë vitet e fundit në skenën politike të Kosovës nuk ka ndodhur asnjë gjë e rëndësishme pa idetë, rolin, angazhimin dhe energjitë e Nismës Socialdemokrate.

Ai tha se Nisma, prej themelimit ishte e vendosur të marrë vendime politike pa zhurmë, që sipas tij, janë dhjetëra ide të dhëna nga Nisma që pastaj janë bërë politikë shtetërore të vendit.

Në 5 vjetorin e themelimit të Nismës në Gjakovë, Limaj kërkoi nga bashkëpartiakët e tij mbështetje dhe punë, ndërkohë u zotua para tyre që rezultatet nuk do të mungojnë.

Ndërsa, Fazli Hoxha kryetar i degës në Gjakovë tha se Nisma do të jetë adresë e mbrojtjes së kërkesave dhe interesave të qytetarëve të Gjakovës.

Hoxha: Limaj si lider i Nismës ka pas vetës mbështetje të madhe të qytetarëve të Gjakovës

“Për këto pesë vite kemi zhvilluar takime të shumta me qytetarë nga të cilët kemi kuptuar se këtij vendi i duhet një parti politike sociademokrate e cila mirret me hallet dhe problemet e qytetarëve drejtpërdrejte. E kjo është Nisma social demokrate në krye me Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin. Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë, dita ditës Nisma në Gjakove po forcohet dhe po zgjerohet me anëtarë të rinj. Programi i Nismës Socialdemokrate po pëlqehet nga qytetarët e Gjakovës. I nderuar kryetar Fatmir Limaj, sot Nisma në Gjakovë nuk është ajo që ka qenë para 5 vitesh, sot ju si lider keni pas vetës një mbështetje shumë të madhe të qytetarëve të Gjakovës, dhe kërkoj nga ju një përkushtim edhe më të madh për Gjakovën, për zhvillimin e këtij qyteti”, tha ai.

Ai tha se angazhimi i Nismës në bashkëqeverisje në Gjakovë ka dhënë kontributin e saj për një mirëqenie më të mirë për qytetarët.

Në këtë tubim, Limaj i tha kryetarit të degës se në zgjedhjet e ardhshme beson që Gjakova do ta zgjedh deputet të Parlamentit të Kosovës, dhe për këtë tha se do ta ketë mbështetjen e fuqishme të tij dhe të partisë.

Në shënimin e 5 vjetorin të Nismës në Gjakovë, Nismës Socialdemokrate iu bashkuan edhe disa të rinj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat