Nitaj: Kosova nuk është ajo që po e bllokon dialogun por është Serbia

Aktuale

Nitaj: Kosova nuk është ajo që po e bllokon dialogun por është Serbia

Nga: Z.B Më: 2 qershor 2019 Në ora: 16:00
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj

Pas aksionit të Policisë së Kosovës që u zhvillua të martën në Veri dhe Jug të Mitrovicës, i cili rezultoi me ndalimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve, ku sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, aksioni policor, kishte për qëllim luftimin e krimit dhe kontrabandës.

Pas këtij aksioni këtë ngjarje e ka komentuar edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini.

Mogherini ka thënë se ajo që ndodhi në Mitrovicë tregon për nevojën që Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut.

Ndërsa, në lidhje me këtë temë për gazetën “Bota sot”, foli deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, i cila tha se Kosova nuk është ajo që po e bllokon dialogun por është Serbia, dhe, sipas tij, nga ana e Prishtinës nuk ka asnjë pengesë për këtë proces.

“Obstruksionet që i ka bërë Serbia janë të mëdha. Është për të ardhur keq që ndonjë zyrtare i BE-së, provon që për dështimin e dialogut ta fajësojë edhe Prishtinën. Për fat të keq një qasje të tillë në vijimësi e ka pasur edhe zonja Mogherini”, tha deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muharrem Nitaj.

Tutje, Nitaj potencoi se ka ardhur koha që gjërat të thuhen ashtu siç janë, ngase Kosova është shtet i pavarur e sovran në kufijtë e vet, dhe kur kjo të kuptohet kështu siç është edhe nga Beogradi, edhe nga Brukseli, atëherë të gjitha gjërat tjera janë të kollajshme.

Sipas tij, deri sa të ketë përpjekje që të mos pranohet kjo gjendje faktike, atëherë edhe dialogu, edhe bashkëpunimi, do të kenë shumë probleme.

“Ata që duan ta ndihmojnë dialogun dhe kthimin e normalitetit në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë dhe serbeve dhe shqiptarëve, nuk i shtyjnë palët në ide e propozime të parealizueshme, siç ka qenë edhe korrigjimi apo ndryshimi i kufijve e gjëra të ngjashme”, përfundoi Nitaj.

Ndryshe, gjatë këtij aksioni policor, nga të shtënat me armë zjarri është plagosur një zyrtar policor. Ndërkaq, katër zyrtarë policorë të tjerë kanë marrë lëndime të lehta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat