Abdullahu: Dialogu me Serbinë është ‘pazar i rëndë’, zor që sjell përfitime

Aktuale

Abdullahu: Dialogu me Serbinë është ‘pazar i rëndë’, zor që sjell përfitime

Nga: Z.B Më: 2 qershor 2019 Në ora: 20:04
Faton Abdullahu

Pas aksionit të Policisë së Kosovës që u zhvillua të martën në Veri dhe Jug të Mitrovicës, i cili rezultoi me ndalimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve, ku sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, aksioni policor, kishte për qëllim luftimin e krimit dhe kontrabandës.

Pas këtij aksioni këtë ngjarje e ka komentuar edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini.

Mogherini ka thënë se ajo që ndodhi në Mitrovicë tregon për nevojën që Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut.

Ndërsa, analisti Faton Abdullahu, për gazetën “Bota sot”, potencoi se koalicioni PAN nuk është i interesuar të rifillojë dialogun me Serbinë, dhe sipas tij, më së paku është i interesuar që këtë ta bëjë Kryeministri Haradinaj.

“Ai është i vetëkënaqur me poenat politik që po i sjellë politikisht taksa atij, për dialogun nuk e ka dert hiç. Dialogu me Serbinë është ‘pazar i rëndë’ e i komplikuar që zor se sjell përfitime politike të shpejta e të lehta”, reagoi ai.

Po ashtu, Abdullahu mendon se ky koalicion ka probleme të mëdha, sepse nuk mund të arrijë as unitet as strategji për dialog me Serbinë.

“Në këto rrethana për të bërë dialog është thjeshtë e pamundur. Serbia nuk ka ndryshuar është ajo e vjetra. Edhe Evropa është e njëjta. Por, Prishtina zyrtare ka probleme të mëdha sepse kemi një koalicion që është i përçarë dhe ‘status quo-ja po i konvenon. S’ka gjasa që kjo të ndryshojë. E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet”, përfundoi analisti Faton Abdullahu.

Ndryshe, gjatë këtij aksioni policor, nga të shtënat me armë zjarri është plagosur një zyrtar policor. Ndërkaq, katër zyrtarë policorë të tjerë kanë marrë lëndime të lehta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat