Zbulohet arma dhe kush e porositi vrasjen e Bardhyl Ajetit

Aktuale

Zbulohet arma dhe kush e porositi vrasjen e Bardhyl Ajetit

Nga: N.Sh Më: 3 qershor 2019 Në ora: 09:30
Bardhyl Ajeti

Sot janë bërë 14 vite që nga plagosja e gazetarit të gazetës kombëtare “Bota sot”, Bardhyl Ajetit, i cili vdiq me 25 qershor në një spital të Milanos në Itali.

Bardhyl Ajeti ishte plagosur rëndë më 3 qershor në Bresalc të Gjilanit, nga persona ende të panjohur për Policinë.

Për këtë rast, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari thotë se, Ajeti u qëllua nga një veture në lëvizje e tipit mercedes me ngjyrë të errët dhe me armë të prodhimit jugosllav.

Miftari përmes një postimi në Facebook, jep detaje për këtë vrasje makabre, e cila tronditi gazetën “Bota sot” dhe gjithë shqiptarët.

“Vrasje vjen e porositur nga krerët politik të shtetit. Pa pasur një klimë tjetër, një vullnet dhe guxim politik, jo vetëm që nuk do të zbardhët kjo vrasje, por nuk do të zbardhet asnjë vrasje tjetër që kanë ndodhur pas luftës por, ekziston rreziku se vrasjet dhe eliminimet e kundërshtarëve politik do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, pa pasur frikë se do të zbulohen nga shteti i kapur”, shkruan Miftari.

Ja postimi i plotë:

Gazetari Bardhyl Ajeti, është plagosur rënd me 3 qershor 2005 dhe ka ndërruar jetë më 25 qershor 2005 në një spital të Milanos në Itali.

Vrasja është kryer nga dy atentatorë, të cilët kanë lëvizur me një vetorë të tipit mercedes ngjyrë të errët. Përgatitja, përcjellja dhe atentati tregon se kryekëput, kemi të bëjmë me vrasje të porositur politike. Në këtë vrasje kishte të implikuar edhe shumë persona të tjerë.

Vrasja ishte kryer derisa vetura mercedes ishte në lëvizje. Nga afërsia ishin shkrepur tre plumba, dy prej të cilëve e kishin goditur në kokë dhe gjoks. Arma me të cilën është kryer atentati ishte revole tipit 7.65mm e pajisur me silicijator (zë mbytës) model M-70, prodhim jugosllav.

Dëshmitari i vetëm i rastit, ishte një shofer kamioni, që kishte qenë duke e tërhequr në ngarkesë një veturë të prishur (ju kishte ther karteri). Pas vrasjes në fshatin e dëshmitarit ishin paraqitur dy vetura misterioze (të tipit xhip) me disa burra kokërruar, të cilët kishin pyetur për dëshmitarin, shtëpinë dhe familjen tij. Kur ishte informuar dëshmitari për kërkimin e tij, nga frika për jetën e vet dhe të familjes së tij, ishte detyruar të largohet nga vendi duke gjetur strehim në Norvegji.

Vrasje vjen e porositur nga krerët politik të shtetit. Pa pasur një klimë tjetër, një vullnet dhe guxim politik, jo vetëm që nuk do të zbardhët kjo vrasje, por nuk do të zbardhet asnjë vrasje tjetër që kanë ndodhur pas luftës por, ekziston rreziku se vrasjet dhe eliminimet e kundërshtarëve politik do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, pa pasur frikë se do të zbulohen nga shteti i kapur.

Nuk lejohet ndërhyrje apo devijim të këtij shkrimi publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat