Mos më dalt shpirti, pa e kuptu kush ma vrau djalin

Aktuale

Mos më dalt shpirti, pa e kuptu kush ma vrau djalin

Nga: K.M Më: 3 qershor 2019 Në ora: 19:23
Zonja Nexharie Ajeti, nëna e gazetarit të "Bota sot", Bardhyl Ajetit dhe gazetari i "Bota sot" Kushtrim Maliqi

Sot, prej orës 18:00, nën organizimin e Haki Abazit, pjestarë i shoqërisë civile, është përkujtuar gazetari i “Bota sot”, Bardhyl Ajeti, i vrarë, pas një atentati nga persona të cilët edhe sot vazhdojnë të mos dihen. Bardhyli ka qenë ndërë gazetarët e parë të cilët me atë të të bërit gazetari profesionale, e kanë luftuar krimin dhe grupet kriminale në vend.

Të pranishmit, në shenjë kujtimi për Bardhylin dhezën qirinjë, bashkë me familjarët e heroit të fjalës së lirë, nënen, vëllaun e kunatën e Ajetit.

Nëna e Bardhylit, zonja Nexharie Ajeti, në një bisedë për “Bota sot”, me këtë rast ka thënë se nuk do të donte të i mbyllte sytë e të largohej nga kjo botë, pa e kuptuar, pa u zbuluar ata që ia vranë djalin.

“Bardhyli ka qenë shumë i mirë, jo pse ka qenë i imi, por ka qenë i zgjut, i rrespektueshëm, i ka dashtë të gjithë, njejtë edhe atë e kanë deshtë të gjithë. Ai e ka dasht fjalën e lirë, e ka dasht drejtësinë, e ka dashtë gazetën “Bota sot”, por këta kriminel ia shuan jetën, vetëm pse ia tregontë të vërtetën.

Mos më dalt shpirti, ishalla nuk vdes pa e kuptu kush ma vrau djalin, kush ma vrau Bardhylin, sepse askuj nuk i ka bë keq. Shpesh më duket se po hapet dera e po hyn brenda, më përqafon. I thojsha, mos shkruj evlad se a pe she që sësht situatë e qetë, më thoshtë, hajt nan se unë e di, i di punët e mia.

Është për tu qudit që tash askush nuk kujdeset për të, askush nuk ka ardh me pyt për të, nuk i intereson askujt. Jam e dëshpruar edhe me LDK-në, edhe kta kurr nuk janë ardhur, edhe pse djali im ka qenë me Rugovën, me drejtsinë, me fjalën e lirë, askush nuk ka qenë kurr. Shpresat i kam tek Gjykata Speciale, e po shpresoj që do të më shërohet shpirti, nëse vijnë e më thërrasin, do të shkoj e do të luftoj për gjetjen e vrasësve të djalit tim”, ka thënë Nexheria, nëna e gazetarit Bardhyl Ajeti.

Nëna e heroit të fjalës së lirë, Nexheria tutje ka thënë se është e dëshpruar me të gjitha insititucionet, edhe me LDK-në e sidomos me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin, të cilin ajo thotë se Bardhyli e ka pas shok, por që sot nuk i intereson për familjen e tij.

Image

“Për vrasjen, atentatit ndaj gazetarit Bardhyl Ajeti, nuk është bërë asgjë deri sot nga askush. Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri nëpër tubime zgjedhore i përmend luftëtarët e LNQ-së, e asesi nuk  e përmend birin tim, Bardhylin si hero i fjalës së lirë, si aktivist i madhë i LDK-së. Unë nuk kam asgjë kundër Mulla Idrizit, e kundër luftëtarëve tjerë të lirisë, mirëpo Bardhyli është hero i fjalës së lirë, si i tillë nuk duam të shkoj gjak-humbët.

Ne si familje nuk kemi pasur as përkrahje morale e as materiale, faktikisht i bie sikur nuk kemi dhënë asgjë, Bardhyli ka rënë për LDK-së, ai ka shkruar vetëm të vërtetën, Bardhyli ka qenë shok i ngushtë me Lutfi Hazirin, por, që i kthehet në këtë mënyrë, kjo mos përkrahje, nuk ke kam menduar kurrë.

Deri sot nuk është bërë asgjë. Në fillim, pas atentatit më 25 qërshor kanë qenë dy detektiv amerikan, ata kinse filluan ta zbulojnë rastin, por pastaj u tërhoqën, mbeti në gjysmë. Pas katër viteve kanë qenë dy prokurorë të eulexit, ata më kanë kërkuar që si nana e Bardhylit ta mbylli rastin, por sigurishtë se unë nuk kam pranuar dhe nuk do të pranoj kurrë deri sa të zbardhet e vërteta për vrasësit e Bardhylit.

Më kanë kërkuar që të mbyllet rasti duke thënë se nuk po dihet, deri këtu kemi arritur po nuk po mund të vijmë deri tek dorasit, me këmbëngulje bile edhe nënshkrimin tim e kanë kërkuar që të mbyllet rasti. Ne duam ta dim pse u vra Bardhyli, kush e vrau, sepse nëse do të ishte gjallë ai, sigurishtë këto hiena nuk do të ishin kaq të qeta. Dyshimet tona kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë tek këto hijena, të cilët nuk po arrinin të vinin në pushtet, derisa Bardhyli ishte gjallë” është shprehur znj. Ajeti.

Pjestari i shoqërisë civile, si dhe analisti Haki Abazi, njëherit organizuator i kësaj ngjarje, për “Bota sot” ka thënë se nuk duhet të ndalemi së kërkuar drejtësi, pasi që deri tek padrejtësitë e sotme kemi ardhur duke heshtur për padrejtësitë e kaluara.

“Janë bërë një decenie e gjysmë dhe drejtësia ende nuk ka ardh në vend të vet, madje ajo duket komplet injoruese karshi një gazetari i cili ka qenë pikërishtë ndërë të parët që ka shkruar për krimin politik në Kosovës dhe nuk është bërë asgjë për vrasësit e tij, për të gjetur kryesit e veprës dhe për ta zbulu vrasësin e tij. Vrasja e gazetarit të kalibrit të Bardhylit nuk është e rastësishme, arsyeja pse ky shtet është i theluar në krim, është heshtja e deritanishme daj krimit, unë mendoj që jo vetëm ky organizim, por të gjithë gazetarët, e gjithë popullata duhet në mënyrë të pa rreshtur të kërkojë drejtësi, sepse vrasja e Bardhyl ka qenë vrasje edhe e fjalës së lirë.

Këtu nuk kemi dalur për protagonizëm e pompozitet, por për të shprehur nevojën për drejtësi.

Definitivisht, unë nuk kam shpresa tek gjyqsori i vendit, ajo shihet që është e kapur prej politikës, njerëzit kryesorë janë të nominuar nga politika, sigurishtë që mbetet shpresa tek gjykata speciale, por edhe në kërkesën që sistemi i gjyqsisë të reformohet, të jetë i pavarur, që gjyqtarët t’i marrin seriozishtë rastet deri në gjetjen e kriminelëve”, është shprehur Abazi.

***

Në 14 vjetorin e vrasjes së gazetarit të gazetës kombëtare “Bota sot”, Bardhyl Ajeti, janë ndezur qirinj në nderim të veprës së tij.

Kjo ngjarje ka filluar në ora 18:00, para teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në mesin e pjesëmarrësve janë parë edhe familjarë të të ndjerit, raporton “Bota sot”.

Kujtojmë se më 3 qershor të vitit 2005, derisa gazetari i gazetës “Bota sot”, Bardhyl Ajeti po shkonte rrugës për në Gjilan, më saktësisht në fshatin Bresalc, ishte qëlluar me armë zjarri, ku fillimisht mbeti i plagosur, ndërsa, për shkak të plagëve të rënda ndërroi jetë në Milano të Italisë, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor.

Vrasja e gazetarit të mirënjohur, pavarësisht se janë bërë 14 vite, vazhdon të mbetet edhe me tej një mister i pazbuluar për drejtësinë në vend.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat