Lekaj: S’kemi frikë nga mocioni i VV-së dhe LDK-së për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale

Lekaj: S’kemi frikë nga mocioni i VV-së dhe LDK-së për rrëzimin e Qeverisë

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 19:49
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Tri partitë opozitare në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate kanë iniciuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj.

Mirëpo, mocionit të nisur nga partitë opozitare nuk po i frikësohet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti e koalicionit qeverisës.

Nënkryetari i kësaj partie, Pal Lekaj tha se në demokraci çdo partie i lejohet të bëjë veprime të tilla.

“E mira e demokracisë është kjo, secili që jemi në politikë mund të organizojmë kundërshtime demokratike e ligjore kundrejt konceptit qeverisës. Në këtë rast edhe mocioni i opozitës nuk na bën që ne të ndalim punën apo të ndihemi në panik”,ka thënë Lekaj në një deklaratë.

Lekaj tha se do të vazhdojnë të punojnë si koalicion qeverisë deri në fund të mandatit.

“Opozita është e lirë të tentojë me të tilla veprime të rrëzojë qeverinë. Ne jemi absolutisht në krye të detyrës dhe ne zbatim të mandatit qytetar e kushtetues. Kështu do të vazhdojmë të sigurt deri në zgjedhjet e ardhshme, që sipas rregullave kushtetuese ligjore i bjen te mbahen në vitin 2021”, tha ai.

Vlen të përmendet se ishte kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ai që ka njoftuar se do të nisin mocionin për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Ai ka realizuar edhe dy takime të ndara me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin dhe kreun e PSD-së, Shpend Ahmetin me ç’rast janë dakorduar që të ndërmarrin veprime të përbashkëta për rrëzimin e Qeverisë.

Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se kanë siguruar 58 nënshkrime për rrëzimin e Qeverisë, duke shtuar se 58 votat e siguruara janë të partive opozitare dhe se nuk kanë kërkuar votat e Listës Serbe për ta rrëzuar Qeverinë. Për të pasur sukses një mocion për rrëzimin e Qeverisë, nevojiten 61 nga 120 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, i kanë gjithsej 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe për suksesin e një mocioni të mosbesimit për Qeverinë, nevojiten edhe 5 vota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat