Rusia thotë se ''Kosova është burimi kryesor i paqëndrueshmërisë dhe konfliktit potencial në rajon''

Aktuale

Rusia thotë se ''Kosova është burimi kryesor i paqëndrueshmërisë dhe konfliktit potencial në rajon''

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 20:14
Foto

Rusia thotë se “Kosova është burim i paqëndrueshmërisë dhe potencialisht e rrezikshme”

Rusia do të bëjë presion për ndëshkimin e të gjithë atyre përgjegjësve për rrahjen e shtetasit rus, Mikhail Krasnoshchekov, personel i UNMIK-ut, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë ruse të Jashtme, Maria Zakharova, gjatë një adresimi për mediat.

“Arrestimi dhe rrahja e një shtetasi rus, personel i OKB-së që gëzon imunitet diplomatik, dëshmon për një klimë të paligjshmërisë së plotë në territor, shkelje absolute të ligjeve ndërkombëtare dhe rregullave të kontakteve të civilizuara ndërkombëtare. Rusia do të vëzhgojë nga afërsia progresin e hetimeve për këtë incident dhe do të bëjë presion për të ndëshkuar të gjithë ata përgjegjës bashkë me të gjithë zinxhirin komandues”, ka thënë ajo, raporton agjencia ruse e lajmeve “TASS

“Duhet theksuar se Kosova është burimi kryesor i paqëndrueshmërisë dhe konfliktit potencial në rajon. Ky territor praktikisht është i pakontrollueshëm. Nuk është vetëm burim i paqëndrueshmërisë, por një territor potencialisht i rrezikshëm, i pakontrolluar në qendër të Evropës”, ka deklaruar Zakharova. “Ne shpresojmë që patronët e Prishtinës, që preferojnë të ndjekin interesat e veta, dhe jo interesat e vendeve dhe popujve të Ballkanit, do të përdorin ndikimin e tyre për t’i detyruar liderët shqiptarë të Kosovës t’i thërrasin mendjes. Në të kundërtën, mund të ketë pasoja të pakthyeshme”.

Mëngjesin e 28 majit, njësia speciale e Policisë së Kosovës ndërmori një aksion në disa rajone të vendit, ndër to edhe pjesën veriore.

Në këtë aksion, në komunën e Zubin Potokut, u plagos nga arma e zjarrit një polic, ndërsa një tjetër pësoi lëndim nga po i njëjti plumb, por që nuk e përshkoi.

Në aksionin kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e kontrabandës u arrestuan 28 persona, zyrtarë policorë e doganierë, shqiptarë e serbë, por edhe qytetarë që organizuan barrikada në Zubin Potok.

Veç tyre, u arrestua edhe zyrtari rus i UNMIK-ut për të cilin policia tha se kishte penguar aksionin policor duke u bërë pjesë e barrikadës dhe duke ua ofruar serbëve lokalë një motosharrë, të cilën e kishte nxjerrë nga vetura e tij zyrtare, e cila u përdor për të prerë drunj të cilët më pas u përdorën për barrikadë. Në veturë me të ishte edhe një serb lokal, po ashtu punonjës i UNMIK-ut, i cili gjithashtu u arrestua.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat