Gjatë aksionit të Policisë në veri, edhe ushtarët zviceranë u përballën me të shtëna

Aktuale

Gjatë aksionit të Policisë në veri, edhe ushtarët zviceranë u përballën me të shtëna

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 22:53
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë në Prishtinë, më 28 maj zhvilloi një aksion kundër kontrabandës, korrupsionit e krimit të organizuar.

Gjatë këtij aksioni, të zhvilluar edhe në veri të vendit, pati edhe të plagosur nga ana e Policisë së Kosovës në komunën e Zubin Potokut pasi serbët lokalë kishin vendosur barrikada.

Por, gjatë këtij aksioni, të shtëna ka pasur edhe ndaj ushtarëve zviceranë në kuadër të KFOR-it.

Siç raporton gazeta zvicerane “Blick”, duke iu referuar raportimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, një automjet ushtarak i Zvicrës është sulmuar me armë zjarri. “Swisscoy” thuhet se po kryente një mision mbikëqyrjeje në veri të Kosovës kur u përball me të shtëna dhe menjëherë u tërhoqën.

“Blick” shkruan se ushtarët zviceranë, ndonëse nuk ishin të përfshirë në aksionin policor, e kishin për obligim që të mbikëqyrnin ata. Sipas informatave nga Ushtria Zvicerane, komandanti i KFOR-it dha këtë urdhër ndaj të gjitha ekipeve ndërlidhëse dhe mbikëqyrëse.

Kur u dëgjuan të shtënat, patrulla e përbërë nga dy makina të ushtarëve zviceranë ishte nisur për të kryer misionin e KFOR-it në zonën e përgjegjësisë, në rajonin e Zubin Potokut në veri të Kosovës.

Patrulla zvicerane ishte afër fshatit Zupç kur policia e Kosovës u përball me të shtëna armësh.

“Ushtarët zviceranë në veturën e parë dhe u strehuan dhe ia dolën të largoheshin pa lëndimet”, ka thënë zëdhënësi i Ushtrisë Zvicerane, Daniel Seckler, për “Blick”.

Më vonë, të dy veturat ishin kthyer në Kampin e Novosellës, kur një pjesë e Swisscoy-t është e stacionuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat