Veseli: Serbia do ta njohë Kosovën dhe do të përgjigjet para drejtësisë për gjenocidin

Aktuale

Veseli: Serbia do ta njohë Kosovën dhe do të përgjigjet para drejtësisë për gjenocidin

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 12:51
Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në shënimin e Ditës së Dëshmorëve të UÇK-së të Komunës së Mitrovicës, se pa Mitrovicën nuk do të bëhej kombi shqiptar dhe nuk do të bëhej Kosova, as liria, as shteti i pavarur e sovran i saj.

Kreu i Kuvendit tha se njerëzit e këtij qyteti, i gjen në çdo faqe të historisë tonë kombëtare.

“Kudo ku luftohej e veprohej për çështjen kombëtare, aty ishin njerëzit e Mitrovicës. Ishin luftëtarë e prijës, njerëz të dijes e të kulturës, minatorë dhe intelektualë, veprimtarë të lëvizjeve studentore dhe ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot ata na bëjnë krenarë me jetën dhe veprat e tyre në shërbim të atdheut”, theksoi Veseli.

Ai shtoi se këtu do të qëndrohet gjithmonë, sepse ky është atdheu ynë që e lanë trashëgim të parët, dhe do t’u lihet brezave që do të vijnë më pas. “Kurrë nuk do ta cenojmë askënd dhe kurrë nuk do të lejojmë askënd që ta cenojë lirinë tonë, tokën tonë, shtetin tonë, kufijtë tanë. Dhe sot Mitrovica është vendi më adekuat për ta dhënë këtë zotim. Sot na jemi zot të vetvetes. Fati i kombit tonë është në duart tona”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Ai tha se Serbisë i kanë mbetur dy gjëra sa i përket Kosovës: ta njohë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës dhe të përgjigjet para drejtësisë për gjenocidin e ushtruar mbi popullin tonë gjatë luftës. Të dy këto procese, shtoi ai, janë të domosdoshme dhe të pashmangshme.

“Liria është punë dhe përkushtim i përditshëm. Liria kërkon, mbi të gjitha, mobilizim institucional e qytetar, për ta zhvilluar ekonominë e vendit, për ta forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit, për të krijuar një shoqëri të drejtë, e të barabartë për të gjithë qytetarët tanë, një shoqëri të shanseve për të gjithë, e në mënyrë të veçantë për të rinjtë tanë, kapitalin tonë më të madh njerëzor dhe zhvillimor që kemi”, theksoi kryeparlamentari Veseli, duke shtuar se ky është vizioni në Dekadën e Re të Pavarësisë dhe kjo është rruga që do të ndiqet, pavarësisht sfidave dhe pengesave, të çfarëdo natyre qofshin.

 “Nuk do të ndalemi asnjëherë. Nuk do të dorëzoheni para asnjë sfide, qoftë ajo kombëtare apo ndërkombëtare. Sepse, ne jemi bashkëluftëtarët e këtyre heronjve që po përkujtojmë sot. Ne jemi ata që e ndryshuam historinë dhe do ta ndryshojmë edhe të tashmen, për ta bërë Kosovën një vend perëndimor, ashtu siç e deshën dëshmorët, ashtu siç e duan qytetarët tanë”, tha Veseli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat