Maloku: Po ta nënshkruaja kontratën me Z-Mobile, do të duhej ta shqyeja diplomën

Aktuale

Maloku: Po ta nënshkruaja kontratën me Z-Mobile, do të duhej ta shqyeja diplomën

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 13:50
Pamje nga takimi

Ekspertë të telekomunikacionit kanë folur sot para Komisionit që po heton keqpërdorimet në PTK dhe Vala, për dëmet që i kanë shkaktuar PTK-së kontrata me “Monaco Telekom” dhe ajo me “Z-Mobile”.

Ekspertët Naim Maloku dhe Ismet Hamiti kanë thënë se ishte pikërisht kontrata me “Monaco Telekom”, ajo që i dha të mbrapshtën Telekomit.

Para komisionit ka pasur të raportonte edhe eksperti i tretë, Agron Dida, por në mungesë të kuorumit, ai nuk arriti as të paraqitej para komisionit, meqenëse mbledhja përfundoi gjatë intervistimit të ekspertit Hamiti.

Gjatë intervistimit, ku secili ekspert raportoi veç, u kritikuan ashpër kontratat e PTK-së me Monaco Telekom dhe ajo me Z Mobile.

I pari që dëshmoi ishte eksperti Naim Maloku, i cili tha se kontrata me “Z Mobile” ka bërë që vetëm njëra palë të maksimizojë fitimin, e që në këtë rast është “Z Mobile”.

Ai tha se telefonia mobile ka pasur qysh ën fillim defekte të mëdha, pasi që qendra ka qenë në Monako. Teksa shtoi se situata në Telekom nuk lidhet vetëm me një kontratë, por lidhet komplet me procesin e menaxhimit, që nga fillimi e deri sot.

Maloku: Konkurrenca e Z-Mobile degradoi Telekomin e Kosovës

“Me PTK-në ka ndodhur e kundërta, që nga futja e konkurrencës, gjendja ka shkuar duke degradu. Dhe, njëra nga to ka qenë moskontrollimi i shpenzimeve operacionale dhe ndër të tjera, kontratat e ndryshme, sidomos kjo që po përfolet shumë, kontrata me Z-Mobile. Kur dy biznese takohen mes vete, qëllimi i çdo biznesi është me e maksimalizu fitimin. Është shumë normale. Mirëpo në këtë rast, një subjekt e ka maksimalizu , që është Z-Mobile dhe PTK nuk e ka maksimalizu”, tha ai.

Maloku tha se sikur të nënshkruante kontratën me “Z Mobile” do të duhej ta shqyente diplomën.

Maloku: Po ta nënshkruaja unë kontratën me Z-Mobile, do ta shqyeja diplomën

“Në qoftë se unë, personalisht po flas, në një rast të tillë, me e nënshkruar një kontratë ët tillë, në mënyrë hipotetike po flas, atëherë do të më ishte dashtë me e shqye diplomën”, tha ai.

Sipas tij, në PTK do të ishte dashur që ët kalkulohen shpenzimet kapitale dhe operacionale, në mënyrë që të bëhej një planifikim i shpenzimeve.

Deputetët, anëtarë të Komisionit, treguan interesim për vlerësimin e ekspertëve për shkaktarët e kësaj gjendje në Telekom.

Kryetari i Komisionit, Visar Ymeri tha se është e rëndësishme të sqarohet se çfarë e ka shkaktuar gjendjen aktuale në Telekom. 

Deputetja Albulena Haxhiu kërkoi  të dijë nga dëshmitari Maloku  se kur mund të ideohet një operator virtual.

Haxhiu: Të marrim për model Telekom-Sllovenia, për të shpëtuar PTK-në

“Sipas asaj që thatë dhe e dimë, ju keni punuar një kohë të gjatë në Telekom- Sllovenia dhe edhe Telekom-Sllovenia ka qenë në gjendje të rëndë kohë më parë dhe megjithatë tashmë ka arritur që të jetë lojtar regjional. A mund të na tregoni, nëse jeni në dijeni, se cilat kanë qenë modelet që janë përdorur për shpëtimin e Telekom -Sllovenia, të cilat pastaj do të mund të përdoreshin edhe në Republikën e Kosovës për Telekomin”, u shpreh ajo.  

Ndërsa deputeti Milaim Zeka pyeti ekspertin nëse i duket ose jo skandaloze dhënia e mjeteve financiare nga PTK për Z -Mobile, konkurrentes kryesore. 

Zeka: Vala i ka dhënë para Ipkos, a nuk është skandaloze kjo

“Me siguri nuk je i njoftuar që Vala, i ka dhënë Ipkos, konkurrentit kryesor të vet, para për zhvillim. Do të thotë për me u zhvillu Ipko. A të duket skandal një gjë e tillë”, tha Zeka. 

Ngjashëm pyeti edhe deputeti Bekim Haxhiu, i cili tha se nuk e di nëse kjo mund të ketë ndodhur në ndonjë vend tjetër. 

Dëshmitari Maloku u shpreh se në bazë të informacioneve që janë publike, Z -Mobile shfrytëzon frekuencat dhe infrastrukturën e PTK-së.

Kurse eksperti Ismet Hamiti, gjatë dëshmisë së tij, tha se kontrata me Monaco Telekomi përbën krim të madh. Sipas tij, ishte pikërisht kjo kontratë që solli shumë dukuri negative e që i hapi rrugë degradimit të PTK-së.

Teksa e quajti të pamoralshme kontratën me Monaco Telekom, Hamiti tha se kontrata me “Z Mobile”, është kontratë famëkeqe.

Hamiti u shpreh se beson që një shumë që arrin koston e rrugës së kombit i ka shkuar dëm Telekomit, pasi i është dhënë Monakos, ndërkohë që Monaco Telekom nuk ka pasur fare shpenzime.

Hamiti: Kontrata me Monaco Telekomin, veprimi më i dëmshëm në PTK

“Kontrata me Monaco Telekomin është ndër veprimet më të dëmshme në PTK. Sepse nëpërmjet kësaj kontrate, mëse gjymsa e fitimit të PTK-së ën atë kohë, se ska qenë e ndarë, i shkonte Monakos. Dhe, kjo është rezultat i asaj që PTK detyrohej të paguante gjithçka, përfshirë edhe për kodin. Kontrata me Monacon, është krim, sepse është i kundërligjshëm”, tha Hamiti.

E dëshmia e ekspertit Hamiti, mbet në gjysmë, pasi mbledhja e Komisionit u ndërpre në mungesë të kuorumit. Ndërsa sot aty ishte paraparë të raportonte edhe eksperti Agron Dida.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat