Kryeprokurori Lumezi deklaron 6 funksione, mbi 40 mijë euro në vit, por deklarimin nuk e bën sipas ligjit

Aktuale

Kryeprokurori Lumezi deklaron 6 funksione, mbi 40 mijë euro në vit, por deklarimin nuk e bën sipas ligjit

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 17:39
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë ashtu siç kërkohet me ligj.

Lumezi ka deklaruar se kryen gjashtë funksione në institucione të ndryshme shtetërore, mirëpo i njëjti nuk e ka bërë përshkrimin e hollësishëm të të hyrave vjetore, ashtu siç parashihet me nenin 5 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Pika 3 e nenit të lartpërmendur përcakton se “në deklaratën për pasurinë e të ardhurave dhe detyrimeve financiare, zyrtari i lartë publik cek shumën, llojin dhe burimin e secilës të ardhur, shumën dhe llojin e detyrimeve financiare duke përfshirë edhe emrin e kreditorit si person fizik apo juridik, ndërsa publikimi i emrit të kreditorit bëhet vetëm për personat juridik”.

Tutje, Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarë përcakton se deklarimi i pasurisë duhet të përmbajë edhe “të ardhurat personale për vitin, nga paga ose pjesëmarrja në borde, komisione ose çdo veprimtari tjetër që sjell të ardhura personale”.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë të Agjencisë kundër Korrupsionit, Lumezi ka deklaruar se mbanë tre pozita udhëheqëse, dhe atë  si Kryeprokuror i Shtetit, Kryetar i Bordit në Akademinë e Drejtësisë dhe Kryetar i Komisionit për dhënien e provimit të Jurispodencës.

Përveç këtyre tre pozitave, Lumezi në të njëjtën kohë është anëtar i Bordit në Akademinë Policore të Kosovës, Anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës si dhe Anëtar i Bordit të Inteligjencës Financiare në Ministrinë e Financave.

Për këto gjashtë funksione që kryen, Aleksandër Lumezi ka deklaruar se merr nga buxheti i Kosovës shumën në total prej 40,105 euro, apo 15,998 euro më shumë se vitin e kaluar.

Kjo pasi që bazuar në regjistrin për deklarimin e pasurisë të vitit të kaluar, ai këtë vit ka dy pozita më shumë, dhe atë të Anëtarit të Bordit të Inteligjencës Financiare dhe Kryetarit të Komisionit për dhënien e provimit të Jurispodencës.

Ndryshe, Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit përfundimisht ka adresuar edhe çështjen e “supermenëve” në institucionet publike, të cilët në të njëjtën kohë mbajnë disa pozita drejtuese. Praktika e “supermenëve” ndalohet në mënyrë eksplicite në nenin 13, paragrafin 2 të këtij ligji, i cili përcakton se: “Zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj.”

Neni 13 i këtij Ligji, papajtueshmëria me ushtrimin e funksionit publik përcakton edhe situatat kur zyrtarit publik i ndalohet të ushtroj më shumë se një pozitë në organe apo institucione drejtuese. Paragrafi 2 i këtij neni përcakton se “Zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të.” /Betimi për Drejtës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat